Gastronomia kërkon teste PCR falas për turistët e huaj

Teste PCR falas për turistët e huaj, rrethana të lehtësuara për subvencionimin dhe formimin e menjëhershëm të Komitetit të Turizmit. Këto janë tre kërkesat e sektorit të turizmit – gastronomisë në Odën Ekonomike, të cilat Qeveria duhet t’i zbatojë urgjentisht. Oda thotë se të gjitha propozimet janë diskutuar dhe shndërruar në masa, por deri më tani ato nuk janë zbatuar.

“Përveç miratimit të masave, nevojitet edhe zbatimi i tyre. E shihni, ne i referohemi disa herë faktit që ne si sektor i biznesit diskutojmë dhe iniciojmë aktivitete dhe masa, kemi komunikim me Qeverinë, por ajo që mungon është zbatimi i një pjese serioze të atyre masave”, tha Daniela Mihajlova nga Oda Ekonomike.

Gjëja më e rëndësishme, sipas Odës, është aplikimi i testeve PCR falas për vizitorët e huaj, që ky sektor të rimëkëmbet ngadalë. Pa turistë të huaj, sektori do ta ketë të vështirë ta kapërcejë krizën.

“Testet duhet të bëhen në objektin e akomodimit ku ndodhet grupi, me kërkesë të bërë nga objekti i akomodimit, dhe rezultatet të lëshohen në gjuhën angleze brenda 24 orëve. Testet duhet të mundësohen shtetasve të shteteve, që do t’u duhen kur të hyjnë në vendet e origjinës”, pohoi Aleksandar Kuzmanovski nga Shoqata e turizmit gastronomik.

Për shkak të pandemisë, sektori i turizmit dhe gastronomisë është ndër aktivitetet më të prekura. Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se numri i turistëve të huaj është ulur për 40 për qind, ndërsa numri i prenotimeve rreth 50 për qind. Humbjet financiare janë deri në 90 për qind, për dallim nga viti 2019.

Andrea Çobanova

LEXO EDHE:

Back to top button