Opozita nuk pret asgjë nga Naser Ziberi si Avokat i Popullit

Opozita nuk pret asgjë nga Naser Ziberi si Avokat i Popullit. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa vlerësoјnë se BDI ka zgjedhur avokatin e tyre, derisa paralajmërojnë nismë në Gjykatën Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Ziberit si Avokat i Popullit dhe lidhjet e tij së fundi me politikën.

“Asgjë nuk presim. Ky njeri i zgjedhur, Naser Ziberi i cili ishte i nominuar për kryeministër të shteti tani po konvertohet në Avokat të Popullit. Ne realisht nuk presim që ai të jetë në krye të detyrës së zgjedhur. Ne do të nisim iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së zgjedhjes që është bërë mbrëmë”, tha Ilire Dauti, deputete e ASH-së.

Partia E Majta vlerëson se nga Ziberi nuk do të përfitojë asnjë grup etnik dhe asnjë qytetarë.

“Nuk pres asgjë sepse si paraardhësi i tij i cili nuk i shfrytëzoi obligimet ligjore për t’i mbrojtur qytetarët kur të drejtat e tyre uzurpoheshin nga organet e shtetit. Nuk pres asnjë përfitim për asnjë etni dhe asnjë qytetarë”, pohoi Dimitar Apasiev, E Majta.

Nga VMRO-DPMNE thonë se Ziberi duhet të dëshmojë se nuk do të punojë me diktatet e partisë që e ka zgjedhur.

“Presim të dëshmojë se nuk i shërben partive politike që e kanë zgjedhur por i shërben qytetarëve. Naser Ziberi për ne u bë i njohur si kandidat për kryeministër, funksioni më politik në shtet. Tani ai duhet ta dëshmojë se nuk është politik dhe të ketë motiv shtesë për të dëshmuar se është më i interesuar për të drejtat e qytetarëve se sa për t’i shërbyer politikanëve”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Ditë më parë Kuvendi votoi Ziberin për Avokat të Popullit. Opozita votoi kundër, ndërsa gjatë debatit adresoi kritika për rëndësinë dhe rolin e ombudsmanit dhe nevojën e domosdoshme që ai të jetë apolitik.

Adrian Kerimi 

LEXO EDHE:

Back to top button