Komandanti amerikan: Nuk prisja kolaps të ushtrisë afgane për 11 ditë

Kryekomandanti ushtarak amerikan, Mark Milley, ka deklaruar se “nuk kishte asgjë” që tregonte një kolaps të qeverisë dhe ushtrisë afgane në 11 ditë.

Gjeneral Milley, kreu i shefave të përgjithshëm të shtabit të ushtrisë, në një konferencë për media tha se të gjitha raportet e inteligjencës në lidhje me kërcënimin e talebanëve “treguan se skenarë të shumtë ishin të mundshëm”.

“Afati kohor i kolapsit të shpejtë u vlerësua gjerësisht dhe shkonte nga javë në muaj dhe madje edhe vite pas largimit tonë. Nuk pashë asgjë që tregonte një kolaps të kësaj ushtrie dhe kësaj qeverie në 11 ditë”, tha Milley.

Komentete e tij erdhën një ditë pasi ‘The New York Times’ raportoi se zyrtarët e inteligjencës amerikane kishin paralajmëruar për një marrje të shpejtë të kontrollit nga talebanët në Afganistan.

Milley po ashtu tha se SHBA-ja deri më tani ka evakuuar 5 mijë njerëz dhe se 4.500 trupat e tjera amerikane do të mbrojnë aeroportin në mënyrë që evakuimet të vazhdojnë.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin, nga ana e tij, tha se trupat amerikane nuk kanë kapacitetet për të ndihmuar njerëzit të shkojnë në aeroport, sepse ata duhet të përqendrohen në sigurinë e aeroportit.

Austin tha se deri më tani “nuk ka pasur ndërveprime armiqësore me talebanët”.

Të dielën, talebanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul, me presidentin Ashraf Ghani dhe zyrtarë të tjerë të lartë që ikën nga vendi./AA

LEXO EDHE:

Back to top button