Kosova në “ethet” e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Kosova po voton për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të gjithë kandidatët për kryeministër e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti tha se sot është ditë e bardhë ashtu si e ardhmja e Kosovës.

“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do jetë edhe e ardhmja. Qytetarët kanë nevojë për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet sot kjo nevojë është e drejtë e cila me tej paraqet mundësinë dhe shans që duhet shfrytëzuar dhe duhet përdorur. Kosova si shtet u pavarur i kthehet popullit si burim i sovranitetit. Me dashuri për vendin duhet të votojmë”, pohoi Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes për Kryeministër.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës të dalin masovikisht për të votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare.

“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë pa dallim përmes vullnetit të tyre të lirë do të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre. Shtëpisë sonë të përbashkët, do ta përcaktojnë fatin e vendit, por edhe të tyre individual” , tha Vjosa Osmani, kandidate për presidente.

Kandidati i PDK-së për kryeministër Enver Hoxhaj tha se vendimi që do të marrin sot qytetarët përmes votimit është vendimi më i rëndësishëm.

“Sot është dita kur flasin qytetaret e jo ne politikanët, është ditë kur flasin qytetarët e Kosovës dhe ne mendojmë që qytetarët e Kosovës sot janë para dy opsioneve, para opsionit të rimëkëmbjes ekonomike të stabilitetit politik dhe të integrimit ndërkombëtar apo para opsionit tw mjegullës dhe të izolimit ndërkombëtar”, theksoi Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për Kryeministër.

Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti pasi ka votuar ka ftuar gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

“Unë ftoj të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote që sot ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për te votuar, sot është dita e tyre ata sot thonë fjalën e tyre”, pohoi Avdulla Hoti, kandidat i LDK-së për Kryeministër.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj i cili synon postin e presidentit tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi që vendin e presin sfida të mëdha.

“E ushtruam të drejtën tonë për të votuar edhe unë edhe Anita. I lus të gjithë qytetarët e vendit që ta shfrytëzojnë të drejtën e vet, pra të votojnë. Këto zgjedhje janë më rëndësi që t’iu japim legjitimitet institucioneve të Kosovës që dalin nga këto zgjedhje, na presin shumë sfida, përballja me Serbinë, situata me pandeminë edhe forcimi i brendshëm i vendit. Pra ju lutem votoni të gjithë”, tha Ramush Haradinaj, kandidat për President.

Të drejtuar nga zyrtarë të partisë Lista Serbe, serbët në veri të Kosovës edhe këtë vit kanë shkuar të votojnë në mënyrë të organizuar. Ambasada amerikane në Prishtinë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që të luajnë rolin e tyre për të ardhmen e Kosovës. “Dilni dhe votoni, mirëpo në mënyrë të sigurt – mbani distancën, vendosni maskën, dhe ndiqni udhëzimet e punëtorëve lokalë për zgjedhje”.

Integriteti zgjedhor që ka arritur Kosova ka bërë që zgjedhjet të mbahen për herë të parë pa monitorimin e bashkësisë ndërkombëtare. Lista përfundimtare e votuesve brenda Kosovës përmban 1 milion e 794 mijë e 862 emra të votuesve.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button