Grafa etnike në letërnjoftim, LSDM-ja nuk e kupton VMRO-në

LSDM-ja “nuk e kupton” kërkesën e kreut të opozitës maqedonase, Mickoski për kombësi “maqedonase” në letërnjoftime dhe mos-përdorim të emrit të ri kushtetues në këto dokumente identifikimi. “Nuk e kuptojmë pse ka kushte shtesë nga opozita, derisa ka pasur deri tani ligje që i kanë votuar, ndërsa janë të lidhura me emrin e ri kushtetues të shtetit” shprehet LSDM për Alsat.

“Siç duket, qëllimi i liderit të opozitës është tjetër, por kjo i vendos në situatë të palakmueshme deputetët e grupit të tij parlamentar që deri tani nuk kanë pasur kurrfarë problemi me korrespodencën e Kuvendit sipas Kushtetutës, propozimin dhe miratimin e ligjeve me emrin e ri kushtetues, takimet si kryetarë të grupeve parlamentare dhe delegacione nën emrin Republika e Maqedonisë së Veriut”, thonë nga LSDM.

Lëvizja Besa e cila propozoi ndryshimet në ligjin për letërnjoftime, nuk tregon nëse do ta mbështesë amendamentin e VMRO-së, duke thënë se qëndrim do të merr pas debatit parlamentar.

“Për momentin po procedohen amendamentet e dorëzuara dhe ende nuk janë shpërndarë deri tek deputetët përmes e-parlamentit. Prandaj nuk dimë çfarë propozohet me to për ndryshim dhe si propozues të ligjit do të mund të prononcohemi gjatë shqyrtimit të amendamenteve në komision pas debatit. Çdo propozim-ligj duhet të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me Kushtetutën aktuale. Na vjen mirë që ideja e Lëvizjes Besa për grafën etnike në letërnjoftime ka mbështetje të gjerë edhe te partitë opozitare”, thonë nga Lëvizja Besa.

Kreu i VMRO DPMNE-së Mickoski një ditë më parë tha se për partinë e tij është e pranueshme grafa për përkatësinë etnike, por edhe kombësia “maqedonase”. Formalisht, VMRO DPMNE-ja ka dorëzuar një amendament, me të cilin kërkon vetëm shlyerjen e Nenit 6 nga propozim ligji për letërnjoftime, i cili parasheh që në tërë tekstin e ligjit fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Amendamenti i VMRO DPMNE-së

“Amendamenti propozohet për shkak të afatit prej 5 vitesh të konfirmuar me Ligjin kushtetues për harmonizimin e dokumenteve valide me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.”

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button