Pandemia, shënon rënie numri i lindjeve në Maqedoni

Shënon rënie numri i lindjeve në vend. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës flasin se pesë vitet e fundit sa vjen e bie numri i lindjeve. Megjithatë rënia gjatë periudhës së pandemisë është më e dukshme. Në 2020 kishte rreth 4500 lindje më pak se një vit më parë.  Vetëm në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, dallimi për një vit është rreth 1 mijë lindje.

“Nëse në 2019-tën kishim 4661 lindje në 2020-tën kishim 3680 nga të cilat 296 ishin në Qendrën Covid, që do të thotë se numri është ulur. Në muajt mars, prill, maj numri i lindjeve ishte shumë më i vogël, sepse kolegët e Spitalit gjinekologjik në Çair i pranonin të gjitha rastet”, pohoi Viktoria Jovanovska, drejtore e Klinikës së Gjinekologjisë.

Profesori Abdylnaser Sinani nga katedra e sociologjisë thotë se pandemia ka ndikuar shumë në numrin e lindjeve, ndërsa thotë se pasojat e pandemisë do të vërehen edhe në 10 vitet e ardhshme

“Kjo është si pasojë e jetës gjatë mbylljes brenda katër mureve si pasojë e gjatë ndaj frikës nga shëndeti për vetveten, frikës për të afërmit, miqtë. Pasiguria për të ardhmen. Kjo gjithsesi ka ndikuar edhe në numrin e krijimit të martesave , në planifikimin e familjeve në të ardhmen. Varfëria në Maqedoni është aq e madhe saqë llogaritet se 500 deri 600,000 qytetarë të Maqedonisë jetojnë në pragun e varfërisë dmth nuk mund t’i plotësojnë kërkesat kryesore të familjes kjo gjithsesi se ka ndikuar shumë edhe në rritjen, lindjen e fëmijëve në krijimin e familjeve të reja, por rezultatet megjithatë mendoj se do të dalin edhe pas 5 ose 10 viteve”, tha Abdylnaser Sinani, sociolog.

Ai thotë se pandemia ka ndikuar shumë edhe në raportet që njerëzit i kanë në mes tyre, por edhe në shëndetin social edhe mental të njerëzve.

Vjollca Aliti                                                                                 

LEXO EDHE:

Back to top button