LSDM-ja akoma nuk ka nisur procesin për ndryshimin e përfaqësuesve në Qeveri

Adrian Kerimi

Në LSDM akoma nuk ka nisur procesi për ndryshimin e përfaqësuesve në ekzekutiv. Nga ky subjekt thonë se akoma është herët të flitet për çështjet kadrovike dhe ndarjen e resorëve, derisa sipas tyre akoma vazhdojnë negociatat për betonimin e shumicës stabile parlamentare. I pyetur nëse do të jetë pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se kjo çështje i takon mandatarit Kovaçevski.

“Kjo nuk është pyetje për mua, por për mandatarin i cili do të vendosë cilin do ta ketë ministër”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

LSDM-ja akoma nuk ka përfunduar negociatat me partnerët e koalicionit parazgjedhor. PLD-ja, LD-ja dhe PRD-ja akoma nuk janë pajtuar me marrëveshjen Zaev-Gashi dhe ndarjen e pozitave në eshalonin e tretë, ndërsa jo zyrtarisht partitë e komunitetit turk kërkojnë ministër pa resor i angazhuar për investime të huaja.

Ndërkohë brenda Alternativës akoma vazhdon debati për ndarjen e pozitave të siguruara nga marrëveshja për pjesëmarrje në Qeveri. Deri tani dihet se për ministër të Shëndetësisë është propozuar Bekim Sali, ndërsa për ministër të Shoqërisë Informatike, Admirim Haliti. Partia e Gashit ka paraparë zëdhënësin Orhan Murtezani për drejtor në MEPSO, ndërsa mbeten të pa caktuara kuadrot në Hekurudha-Transpot, Fondin Pensional Invalidor, klinika, këshilla drejtues dhe agjenci.

As BDI nuk diskuton për kuadrot e reja. Pas heqjes dorë nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe MEPSO, partia e Ahmetit akoma nuk ka një emër për resorin e Bujqësisë. Jo zyrtarisht, Jeton Shaqiri mund të kalojë në Bujqësi. Akoma vazhdojnë negociatat për kompensimin e MEPSO-s me drejtori qendrore, ndërsa nuk dihet nëse në kuadër të resorëve që menaxhon BDI-ja do të ketë ndryshime kadrovike.

LSDM-ja dhe partnerët e koalicionit nuk janë përcaktuar as për mënyrën e kthimit në funksion të ministrave pa resorë për diasporën dhe për investime të huaja. Në rast se vendoset kthimi i tyre përmes ndryshimeve ligjore të Ligjit për Qeverinë do të duhet votim me 2/3 e votave për shkak se i njëjti është pjesë e grupit të ligjeve sistematike.

Procedura për kompletimin e kabinetit të ri Qeveritar pritet të përfundon pas 15 janarit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button