Mario Draghi emërohet për mandatar në qeverinë italiane

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka emëruar ish-kryetarin e Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, për mandatar të qeverisë së vendit.

Në Itali dje filluan përgatitjet për përbërjen e qeverisë teknokrate pas krizës në qeveri që shpërtheu më 13 janar.

Mattarella në pajtim me përgatitjet për përbërjen e qeverisë së re, në presidencë mbajti takim njëorësh me ish-kryetarin e Bankës Qendrore Evropiane, Draghi.

Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Hugo Zampetti, deklaroi se Mattarella emëroi Draghi-n si mandatar për të formuar qeverinë italiane. Ai shtoi se Draghi e pranoi me kusht detyrën.

Mario Draghi ka lindur në vitin 1947 në Romë, ku diplomoi në Universitetin Sapienza. Në periudhën 2005-2011, ai ishte kryetar i Bankës Qendrore të Italisë, ndërsa nga viti 2011 deri në vitin 2019 ishte kryetar i Bankës Qendrore Evropiane.

Draghi është quajtur “njeriu që shpëtoi euron” për shkak të politikave që ndoqi gjatë krizës.

Draghi në Londër në vitin 2012 tha se Banka Qendrore Evropiane ishte e gatshme të bënte gjithçka që ishte e nevojshme për të ruajtur euron.

Kryeministri italian Giuseppe Conte dha dorëheqje më 26 janar. Conte u detyrua të jepte dorëheqje pasi nuk arriti të fitonte besimin në Senat, gjë që shkaktoi një krizë në momentin kur Italia po përballet me vendime shumë të rëndësishme ekonomike dhe politike.

Conte mbeti pa vota të mjaftueshme në Senat pasi ish-kryeministri Matteo Renzi tërhoqi partinë e tij Italia Viva nga koalicioni qeveritar. Pas kësaj, Conte dhe qeveria e tij u detyruan të tërhiqen, për të evituar edhe një disfatë në parlament.

LEXO EDHE:

Back to top button