OKB: Miliona afganë i kërcënon uria

Nëse nuk ndërmerren veprime të menjëhershme atëherë miliona afganë do të përballen me urinë gjatë këtij dimri, ka paralajmëruar Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së. Me pasiguri të sigurimit të ushqimit përballen rreth 22.8 milionë njerëz, shifër kjo që përbën mbi gjysmën e numrin të popullsisë, ndërsa 3.2 milionë fëmijë nën pesë vjeç mund të vuajnë nga kequshqyerja, tha organizata. Talibanët e morën kontrollin e Afganistanit në muajin gusht pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tërhoqën forcat e tyre pas rreth 20 vjet të intervenimit ushtarak për të rrëzuar nga pushteti regjimin taliban. Ekonomia e këtij vendi ka qenë e brishtë, por marrja nën kontroll e talibanëve e përkeqësoi edhe më shumë situatën. Fuqitë perëndimore pezulluan ndihmën, ndërsa Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ndaluan pagesat. Shumë afganë tani po shesin pasuritë e tyre për të blerë ushqime. Kriza e ushqimit në Afganistan është komplikuar nga mungesa e ujit dhe një thatësirë e madhe.

LEXO EDHE:

Back to top button