Rigjykimi i “27 prillit”, takim Pendarovski-Mickoski

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski do të takojë të premte kreun e shtetit Stevo Pendarovski pas qëndrimeve të këtij të fundit për rigjykimin e të dënuarve të 27 prillit. Palët ranë dakord për nevojën e këtij takimi gjatë një bisede telefonike të iniciuar nga Mickoski, partia e të cilit vendosi të “shkrijë” raportet me Presidentin disa muaj pasi kishte vendosur t’i pezullojë ato.

Burime nga VMRO-DPMNE-ja thonë se kjo parti nuk kërkon mëshirë dhe amnisti për të akuzuarit e dhunës në Kuvend megjithatë kërkon që rasti të mos trajtohet si “terrorizëm”. Kërkesa e tyre është që të akuzuarit të gjykohen për veprat që kanë bërë si hyrje të dhunshme dhe ushtrim dhune. Partia opozitare pret që Presidenti të shfrytëzojë pushtetin e tij për aktualizimin e çështjes.

Vendin dhe kohën e takimit do ta caktojë kabineti i Presidentit. Ky do të jetë një takim tet-a-tet pa prezencën e liderëve të tjerë.

Presidenti Stevo Pendarovski ditë më parë tha se dënimet për personat që hynë në Kuvend dhe ushtruan dhunë më 27 prill ishin të larta dhe rasti duhet të rigjykohet.

Unë nuk mendoj aspak se njerëzit që hynë brenda janë terroristë, madje edhe ata që sulmuan fizikisht njerëz. Ata që sulmuan fizikisht njerëzit i meritojnë ndëshkimet që i morën. Ata që vetëm hynë në ndërtesën e Kuvendit nuk mund të thuhet se janë terroristë. Në këtë moment unë mbështes rihapjen e procesit, nëse ka prova të reja, dëshmitarë të rinj të cilët do të hedhin dritë mbi ngjarjen nga një kënd tjetër që do të tregojë se nuk është ashtu siç ishte provuar në gjykimin e parë, ne mund të flasim për këtë”, tha Stevo Pendarovski, president (30.04.2021).

Gjykata penale dënoi 16 persona me burgim të përgjithshëm 211 vjet, ndërsa Gjykata e Apelit i uli dënimet në 188 vjet. Paralelisht ende po zhvillohet procesi gjyqësor kundër organizatorëve të dyshuar të ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend.

Në takim me Presidentin Pendarovski, VMRO-DPMNE-ja thotë se do të hapë edhe diskutimin mbi situatën aktuale politike dhe ekonomike në vend.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button