“Rritja e pagave”, LSM-ja akuzon shtetin për moszbatimin e ligjeve

“Rritja e pagave”, LSM-ja akuzon shtetin për moszbatimin e ligjeve

Gazetare: Ajnur Bafqari

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) kërkon që shteti të zbatojë detyrimin ligjor për rritje të të gjitha pagave në sektorin publik në përputhje me rritjen e pagës minimale. Sindikalistët kanë dorëzuar ankesë tek Gjykata Civile ku kanë kërkuar procedurë kundër qeverisë për shkak se vlerësojnë që janë dëmtuar punonjësit të cilëve nuk u është rritur paga për 18,4 për qind. Presin që sa më shpejtë të thirret seanca e parë.

“Ne e kemi dorëzuar që më 1 shtator dhe presim të na thërrasin për seancën e parë ku do t’i shpalosim dëshmitë e tona mbi baza të asaj që punonjësit janë dëmtuar me atë që nuk u janë rritur pagat për 18,4 për qind sipas zgjidhjes ligjore të shkruar në ligjin për paga minimale. Ne kërkojmë të zbatohet ligji sepse ajo është e drejtë e garantuar me kushtetutë, nëse shteti nuk i respekton ligjet çfarë mbetet për qytetarët e tjerë e punonjësit në shtet”, tha Darko Dimovski, Kryetar I Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Por për zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike rritja lineare e pagave nuk është zgjidhje e mirë. Fatmir Bytyqi thekson se nevojitet një metodologji e re për rritjen e pagave, që do të bazohej tek produktiviteti dhe efikasiteti.

“Ne filluam procesin e harmonizimit dhe procesin e diskutimit të marrëveshjes së re kolektive me lidhjen e sindikatave, për fat të keq ajo u ndërpre sepse ata u futën në grevë. Këto ditë ne do t’i ftojmë që të kthehen që të nënshkruajmë deri në fund të vitit një marrëveshje kolektive, sepse ne besojmë në zgjidhje që është e qëndrueshme dhe nuk është zgjidhje hë për hë. Rritja lineare nuk është zgjidhje, ne dëshirojmë të definojmë një metodologji për rritje të pagave në sektorin publik, që do të bazohet në produktivitet dhe efikasitet ashtu si e kërkojmë edhe në sektorin privat. Gjithsesi edhe një ligj të ri për pagat në sektorin publik”, u shpreh Fatmir Bytyqi, zv kryeministër për çështje ekonomike.

Bytyqi tha se edhe ligji edhe metodologjia për rritjen e pagave ndodhen në procedurë në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, atë të Financave dhe Ministrinë për Administratë dhe në mënyrë shtesë po bëhen edhe përgatitjet për buxhetin dhe po shihen mundësitë reale deri në çfarë niveli mund të shkohet me metodologjinë e re për pagat. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button