I dyshuari për vrasjen e shtatzënës vrau veten, nuk iu dorëzua policisë

I dyshuari për vrasjen e shtatzënës vrau veten, nuk iu dorëzua policisë

I dyshuari për vrasjen e Hamide Magashit , gruas shtatzënë, në Prishtinë, bëri vetëvrasje gjatë përpjekjeve të policisë për arrestimin e tij, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. “Përkundër tentativës së zyrtarëve policorë që të negociojnë dorëzimin, dorasi vrau veten”, njoftoi Sveçla përmes një postimi në Facebook. I identifikuar më herët nga Policia e Kosovës si Sokol Halili, ai ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e gruas së tij, më 30 nëntor. Krimi ndodhi dy ditë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku Magashi ishte e shtrirë në pritje të lindjes së fëmijës. Sveçla nuk dha detaje se ku është gjetur autori i vrasjes, por tha se autoritetet do t’i vazhdojnë hetimet “për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”. Ndërkohë në fshatin Llugagji të Lipjanit sot i është dhënë lamtumira e fundit, Hamide Magashi.

Përpos turmës së madhe të njerëzve që shkuan për ta nderuar 35 vjeçaren, për herë të fundit, prezentë ishin edhe disa figura politike. Në mesin e turmës ishte edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar reagime të shumta e protesta. Qindra qytetarë protestuan në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për vrasjen e saj por edhe të rasteve ku viktima ishin gratë. Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe qytetarët gjatë marshit bën thirrje për siguri për gratë duke akuzuar policinë dhe institucionet tjera për mosndërmarrjen e masave për parandalimin e akteve të dhunës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se bëhet fjalë për papërgjegjësi institucionale ndërsa paralajmëroi dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve policorë sapo të verifikohet dështimi institucional. Kjo është vrasja e dytë brenda një muaji. Më 25 nëntor një 63 vjeçare u vra me sëpatë nga bashkëshorti i saj tashmë i dorëzuar në polici. Sipas policisë së Kosovës nga viti 2010 në Kosovë janë vra 50 gra ndërsa ka shënuar rritje edhe numri i rasteve të dhunës familjare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button