Ilindeni: Mickoski kritikon Qeverinë

Ilindeni: Mickoski kritikon Qeverinë

Gazetare: Ajnur Bafqari

Ikja nga referendumi është ikje nga populli dhe dëshmi se sa e madhe është tradhtia që kjo qeveri po e bën ndaj vendit dhe popullit të vet. Ikja nga referendumi është pasqyra e pafuqisë së kësaj Qeverie. Me këto fjalë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski iu drejtua qytetarëve gjatë shënimit të “Ilindenit”.

Ai bëri thirrje që të gjithë ta mbështesin referendumin dhe t’i japin shans popullit që ta marrë vetë vendimin për anëtarësim në BE me kushtet aktuale.

“Tash kush është më shumë për BE, ne që dridheshim për idenë që të kemi shtetin tonë të pavarur dhe sovran, Maqedoninë, që do të ishte pjesë e familjes së BE-së me dinjitetin e mbrojtur, emër dhe identitet, apo ata që tani e udhëheqin vendin e të cilët, ska vlerë evropiane që nuk e kanë shkelur e pështyrë, ose vlerë identitare që nuk e tregtuan. Të gjitha këto me vetëm një qëllim, që të vazhdojnë të pasurohen në kurriz të popullit”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti uroi këtë festë duke rikujtuar sfidat dhe sukseset që janë bërë që nga Krusheva e deri më sot. Ai tha se brenda këtyre 119 vitesh, shumë breza kanë qëndruar bashkë mbi vlerat e lirisë, barazisë e paqes, që sot vendi të ketë pozicionet që ka në NATO dhe BE.

“Tani falë gjithë atyre proceseve të guximshme nëpër të cilat kaluam, jemi vend anëtar i NATO-s, shembull i proceseve të paqebërjes dhe të vendosur që këtë rrugëtim shekullor fitoresh ta vazhdojmë bashkë drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian” u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Festën e Ilindenit e uruan edhe shumë figura të tjera të skenës politike në vend, dhe për shënimin e kësaj dite janë organizuar më shumë aktivitete nëpër disa qytete të Maqedonisë së Veriut./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button