Inspektimi në Qendrën Klinike, kush nga drejtorët ka radhën për shkarkim?!

Inspektimi në Qendrën Klinike, kush nga drejtorët ka radhën për shkarkim?!

Përderisa inspektimi i jashtëzakonshëm vazhdon në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, dalin detaje të reja mbi keqpërdorimet nëpër klinikat e tjera. Alsat mëson se afër shkarkimit nga pozita udhëheqëse është Drejtori i Pulmologjisë, Dejan Dokiq. Sipas informacioneve jo zyrtare, janë evidentuar parregullsi të shumta në Klinikën e Pulmologjisë gjatë periudhës së pandemisë. Sipas burimeve ka indicie të forta për keqpërdorime eventuale të Dokiq, edhe për donacionet gjatë dy viteve të fundit, kur ai ishte koordinator i qendrave kovid, në periudhën kur ministër i Shëndetësisë ishte Venko Filipçe. Nga dikasteri i Shëndetësisë nuk japin detaje, por as nuk pohojnë e mohojnë gjetjen e parregullsive në disa klinika.

“Vazhdon inspektimi i jashtëzakonshme në të gjitha klinikat e tjera. Deri më tani në dy klinika nuk është gjetur asnjë parregullsi, ndërsa për tri klinika të tjera kemi kërkuar plotësim të informacioneve. Dy prej të cilave kanë indicie të dukshme që mund të çojnë në shkarkim të udhëheqësisë së klinikave në fjalë”, njoftojnë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Sipas burimeve të Alsat, janë kërkuar informacione shtesë për Kliniken Infektive, ku gjatë periudhës së pandemisë janë evidentuar keqpërdorime për marrjen e pushimeve vjetore dhe mjekësore. Nëse këto vërtetohen, luhatet ulësja e drejtoreshës Milena Stevanoviq, e cila aktualisht udhëheq klinikën.

“Ajo që mund të konfirmojmë është se nga raporti revizor deri më tani nuk është gjetur asnjë lëshim në Klinikën e Kardiologjisë, por nuk ka gjetje të asnjë parregullsie as në Klinikën e Endokrinologjisë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Zyrtarisht deri më tani dimë se janë dorëhequr me kërkesë të ministrisë së Shëndetësisë tre drejtorë. Drejtori i Onkologjisë Nikolla Vasev për konstatimin e keqpërdorimeve të terapive kundër kancerit dhe disa lëshime të tjera. Ndërkaq në Klinikën e Pediatrisë janë shkarkuar drejtoresha Aspazija Sofjanova për keqpërdorim të pagave të larta dhe mëditjeve të kujdestarisë. Kurse, drejtori organizativ i Pediatrisë, Alajdin Memedi, u shkarkua për të vetën arsye se i është gjetur rritja e koeficientit të pagës së tij. Memedi tha se vendimin do ta dërgojë në Gjykatën Administrative për të kërkuar drejtësinë, nga që sipas tij, koeficienti i pagës ka qenë i rritur nga drejtori paraprak, ndërsa ai ka vazhduar të njëjtën për 9 muaj sa mbajti këtë pozitë. Mbeten raportimet finale edhe 10 nga 12 klinikat për të plotësuar mozaikun e shëndetësisë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button