Pas raportimit të Alsat, Inspektorati i Tregut në “gjah” të vajit rus pa etiketa

Pas raportimit të Alsat, Inspektorati i Tregut në “gjah” të vajit rus pa etiketa

Gazetar: Adnan Qaili

Me të ngritur alarmin se produktet ruse kanë pushtuar industrinë ushqimore, Inspektorati Shtetëror i tregut është zgjuar nga gjumi. Megjithëse Dogana konfirmon se malli importuar nga Rusia është sipas rregullave, në disa ambalazhe janë vërejtur parregullsi me mos përkthimin e etiketave, shkruan Alsat.

Një ditë pas publikimit në Alsat, nga Inspektorati i tregut thonë se kanë kryer kontrolle në Kumanovë, për të marr masat lidhur me produktet e importuara që figurojnë me deklaratë vetëm në gjuhë të huaja. Vaji lulediellit për gatim është vetëm në rusisht.

“Përderisa vërtetohet se në treg janë lëshuar për shitje produkte, të cilat nuk janë të deklaruara apo me etiketat janë të pa plotësuara parashihet gjobë prej 1,200 euro për personin juridik dhe 360 euro për personin përgjegjës të marketit, kjo sipas Nenit 130 të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve. Përveç gjobës me para, sipas gjendjes faktike kompanisë i thuhet në procesverbal që në afat të caktuar ligjor të evitoj parregullsitë, përkatësisht produktet që gjenden në atë moment pa etiketë përkatës, të njëjtit ti deklaroj se përndryshe ato do ti konfiskohen, sipas ligjit që ju citova më herët”, tha Aleksandra Koteli, Zëdhënëse e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se në parregullsi të tilla hasin shpesh. Në Sektorin për Mbrojtjen e Konsumatorit këtë vit janë paraqitur 194 ankesa nga qytetarët. Mungesa etiketave cilësohet si ushqim i pasigurt i lëshuar në treg në bazë të së cilit janë asgjësuar dhjetëra ton ushqim gjatë këtij viti.

“Në 5 muajt e parë të këtij viti janë kryer mbi 19.500 kontrolle. Gjithsej 1,665 masa janë vendosur për parregullsi, përfshirë etiketimin e papërshtatshëm të produktit. Janë kryer 727 edukime të operatorëve ushqimorë dhe janë paraqitur 42 kallëzime për kundërvajtje. Është ngritur edhe një kallëzim penal. 56.971 kilogramë ushqime me origjinë shtazore dhe jo shtazore janë asgjësuar si të pasigurta”, u shpreh Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Sipas Ligjit për sigurinë ushqimore, Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, Rregullores për informacione lidhur me ushqimin, si dhe rregulloreve për kërkesat e veçanta për lloje të caktuara të produkteve ushqimore etiketimi është i detyrueshëm për çdo produkt. Në bazë të inspektimeve të kompetentëve që thanë se vitin e kaluar kanë arritur pothuajse shifrën prej 50 mijë, janë konstatuar vetëm 69 parregullsi sa i përket deklarimit joadekuat dhe jo të plotë të produkteve dhe mashtrimit të konsumatorëve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button