“Inspektorati”, ish drejtori i Neurologjisë ka kryer kontrolle shëndetësore pa licencë

“Inspektorati”, ish drejtori i Neurologjisë ka kryer kontrolle shëndetësore pa licencë

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Ish drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Igor Kuzmanovski ka kryer kontrolle shëndetësore pa licencë aktive për rreth pesë muaj. Nga Inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Shëndetësor rezulton se pas skadimit të licencës, më datë 15 mars të këtij viti, Kuzmanovski ka kryer kontrolle shëndetësore deri më 8 gusht të këtij viti, pra deri në emërimin e tij si drejtor në Klinikën e Neurologjisë. Inspektorati i ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurove.

“Lidhur me punën e Prof. Dr. Igor Kuzmanovskit si profesionist shëndetësor pa licencë pune të vlefshme, do të lëshohet urdhër pagese për kundërvajtje sipas nenit 309 të Ligjit për Kujdesin Shëndetësor, por do të pasojë edhe urdhër pagese për kundërvajtje për personin juridik dhe për personin përgjegjës në personin juridik, pra drejtorin e mëparshëm”, thonë nga Inspektorati Shëndetësor.

Edhe Ministria e Shëndetësisë konfirmon se Kuzmanovski ka kryer kontrolle shëndetësore ndaj pacientëve pa licencë aktive.

“Menjëherë pas shkarkimit janë siguruar të dhënat nga Termini im. Të dhënat tregojnë për realizim të kontrolleve, dhe të njëjtat janë subjekt i procedurës së mëtejshme brenda Ministrisë së Shëndetësisë”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Ish Drejtori i Klinikës së Neurologjisë Igor Kuzamnovski ka ushtruar detyrën për shtatë muaj pa licencë aktive, ndërsa në muajin gusht është emëruar si drejtor i kësaj klinike pa licencë aktive. Ndërsa është shkarkuar nga posti i tij pas publikimit të videos në rrjetet sociale duke përdorur lëndë narkotike.

Ministri i Shëndetësisë ende nuk ka sqaruar si e ka emëruar drejtor klinike pa licencë aktive, ndërsa kryeministri ka deklaruar se kanë bërë atë që u takon duke e shkarkuar nga funksioni.

Ende nuk ka reagim nga Oda e Mjekëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button