Nisi sezoni i ngrohjes, radiatorët ishin të ngrohtë që në orët e para të mëngjesit

Nisi sezoni i ngrohjes, radiatorët ishin të ngrohtë që në orët e para të mëngjesit

Gazetare: Melihate Rustemi

Familjet të cilat janë shfrytëzues të ngrohjes qendrore sot u zgjuan në ambiente me temperaturë më të lartë për shkak të fillimit të sezonit të ngrohjes. Nga EMV kanë njoftuar se për shkak të gjetjes dhe riparimit të defekteve, objekte të caktuara në Taftaligje 2, Kisella Vodë dhe Qendër do të mbeten pa ngrohje. Alsat vizitoi disa nga lagjet e Shkupit për të kuptuar nëse ngrohja qendrore ishte aktivizuar që nga orët e mëngjesit.

“Tani për tani e pash që e kanë lëshuar por shumë dobët ishte. Sipas motit, si është moti ashtu edhe e ngrohjen e lëshojnë. Paguaj rreth 2 mijë denarë, janë banesa të reja, jam i kënaqur për momentin, për më tutje e shohim”, u shpreh një qytetar.

“Ngrohja punon. Mirë është, prej në mëngjes mirë është. Këtu në Lisiçe të re nuk kam problem, është shumë nxehtë, mirë është”, tha nje tjetër qytetar.

“Ishte mjaftueshëm për banesën tonë dhe gjithë ndërtesën. Nuk kishim asnjë problem”, tha një qytetar.

Një pjesë e qytetarëve vlerësojnë se ngrohja duhej të ishte lëshuar më herët për shkak të temperaturave të ulëta të ditëve të kaluara. Ndërkohë qytetarët që ngrohen me kondicionerë thanë se faturat e rrymës vijnë shumë të larta.

“Unë ngrohem me kondicionerë momentalisht, kam edhe pak dru, dy metër kub. Rrymë paguajmë prej në 15 mijë e më lart”, theksoi një qytetar.

“Kishte pak ngrohje sa radiatorët mos të jenë të ftohtë. Tani është mirë. Mirëpo, deri tani vetëm unë e di se sa ftohtë ishte. Më ftohtë ishte në dhomë se jashtë sepse radiatorët ishin shumë të ftohtë dhe ftohnin hapësirën”, deklaroi një tjetër qytetar.

Në njoftimin e EMV-së bëhet e ditur se sistemi i këtij institucioni ngroh rreth 66,000 konsumatorë aktivë, nga të cilët 65,000 familje dhe mbi 1,000 konsumatorë biznesi, duke përfshirë spitale, qendra shëndetësore, shkolla të mesme dhe fillore dhe kopshte. Gjithashtu, nga EMV informojnë se gjatë muajit tetor dhe gjysmën e parë të nëntorit, furnizimi me energji termike do të varet nga temperatura dhe kushtet atmosferike në kohë të ndryshme të ditës. Kur temperaturat janë më të ulëta, furnizimi i energjisë termike rritet, dhe kur ato janë më të larta, zvogëlohet. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button