Integrimi / Sofja: S’ka tërheqje nga pakti i vitit 2022
Gazetare: Fatlume Dervishi
Ministrja e Jashtme bullgare Velislava Petrova i dërgoi një mesazh Maqedonisë, se Bullgaria nuk do të tërhiqet nga ajo që u ra dakord në vitin 2022, dhe rruga e Shkupit drejt Bashkimit Evropian kalon përmes zbatimit të angazhimeve të ndërmarra. Petrova për median bullgare BNT, theksoi se toni nga pala bullgare mbetet “jashtëzakonisht pozitiv”, por pranoi se shpesh nuk sheh të njëjtën sjellje politike nga Shkupi.
“Ky është qëndrimi evropian. Dhe ky ishte arritja kryesore në qershor-korrik 2022. Është e trishtueshme që po kthehem në qeveri katër vjet më vonë dhe nuk ka përparim në këtë çështje. Shpresoj të gjej pjekuri politike nga pala tjetër për të provuar të afrohemi në këtë mënyrë. Nuk e shoh shpesh këtë. Shpresoj që Maqedonia të gjejë një qasje që do ta përqendrojë vëmendjen në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe jo në kërkimin e konfliktit me Sofjen”, deklaroi Velislava Petrova, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Ajo ishte kategorike se në Bullgari ekziston unitet i plotë politik për këtë çështje. Sipas Petrovës, autoritetet në Maqedoni duhet të përdorin “dritaren e hapur” aktuale për zgjerimin e BE-së, në vend që të përshkallëzojnë tensionet me Sofjen.
Deklaratat vijnë në një kohë të përkeqësimit të ri të marrëdhënieve politike midis Shkupit dhe Sofjes, pas qëndrimit të Qeverisë maqedonase dhe Kryeministrit Hristijan Mickoski se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese pa, siç thonë ata, një ndryshim në qasjen nga pala bullgare. Kryeministri Mickoski përsëriti se nuk ka lëshime në lidhje me identitetin maqedonas. Në komentin për deklaratën e Petrovës ishte më i ashpër.
“Marrëdhëniet ndërfqinjësore janë rrugë dykahëshe. Ju nuk mund të luani vetë kur nuk keni partner. Mua më shqetëson fillimi i punës së qeverisë së re të fqinjit tonë lindor por shpresoj se me kalimin e kohës logjika do të sundojë. Unë jam i vetëdijshëm se kanë shumë probleme të brendshme. E shoh se do të jenë shteti i vetëm që do të marrë masa nga Banka Qendrore e Evropës i kanë falsifikuar dhe manipuluar raportet për deficitin buxhetor, kanë probleme të mëdha me inflacionin dhe ekonominë në përgjithësi dhe ndoshta tani kërkojnë temë të re dhe tema më e mirë është radikalizimi i qëndrimeve kur bëhet fjalë për Maqedoninë. Por ne jemi të durueshëm dhe do të fitojmë siç kemi fituar shumë herë në histori”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa vjen në Maqedoni javën e ardhshme dhe Qeveria pret që bisedimet të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjet e diskutueshme me Bullgarinë./Alsat.mk.








