Inteligjenca artificiale rrezikon përkthyesit

Inteligjenca artificiale rrezikon përkthyesit

Më shumë se një e treta e përkthyesve kanë humbur punën për shkak të inteligjencës gjeneruese artificiale [AI], thotë një sondazh i kryer nga Shoqata e Autorëve (SoA). Më shumë se katër në dhjetë përkthyes kanë thënë se të ardhurat e tyre janë ulur për shkak të AI-së, ndërsa më shumë se tri të katërtat besojnë se teknologjia në zhvillim do të ndikojë negativisht në të ardhurat e tyre të ardhshme.

SoA, sindikata më e madhe në Mbretërinë e Bashkuar për shkrimtarët, ilustruesit dhe përkthyesit, anketën e kreu në janar të këtij viti. Zbuloi se 37 përqind e përkthyesve e kishin përdorur AI-në gjeneruese për të mbështetur punën që bëjnë, ndërsa tetë përqind e përdorën meqë këtë ua kërkuan botuesit ose redaksia.

Thomas Bunstead, përkthimet e të cilit nga spanjishtja përfshijnë Librin e të gjitha dashurive nga Agustín Fernández Mallo, thotë se është e rëndësishme të bëhet një dallim midis përkthyesve letrarë dhe përkthyesve “tregtarë”. “Megjithëse një e treta e përkthyesve i janë përgjigjur sondazhit të SoA-s, duke thënë se mendojnë se tashmë e kanë humbur punën nga AI-ja, përkthimi letrar mbetet në duart e njerëzve”, tha ai. “Puna e cila me sa duket i është dorëzuar AI-së, do të jetë e llojit të gjërave të lehta të pakomplikuara të cilat nuk kërkojnë aq shumë nuanca” – siç janë manualet e udhëzimeve.

“Shkrimi me idioma, me stil dhe kompleks”, ka të ngjarë të mbetet te përkthyesit njerëzorë, pajtohet Nichola Smalley, përkthimet e së cilës nga suedishtja dhe norvegjishtja përfshijnë Sistemin verbues madhështor nga Amanda Svensson. “Por, ndoshta njerëzit që përkthejnë romane të krimit dhe romancës, të cilët aktualisht po marrin më pak punë për shkak të AI-së, të gjithë do të fillojnë të futen në gjërat komplekse dhe ne të gjithë do të luftojmë për hapësirën në atë vend. Shpresoj që jo”.

Ian Giles, bashkëkryetari i Shoqatës së Përkthyesve, përkthimet e të cilit nga gjuhët skandinave në anglisht përfshijnë librin e ardhshëm Qyqja nga Camilla Läckberg, thotë se që nga fillimi i vitit 2023 kanë rënë ndjeshëm të ardhurat e tij nga puna e përkthimit. Humbja e fitimit nga rrjedha e përkthimit që nuk është i fjalëpërfjalshëm, duke ia lënë vendin përkthyesve të fjalëpërfjalshëm, do të nënkuptojnë “rritje të pengesave për futjen në industri, me vetëm ata që kanë njohuri për ta përkthyer literaturën për botim”. Ai gjithashtu tha se ulja e kostove nuk kufizohet vetëm në përkthimin që nuk është i fjalëpërfjalshëm – një botues i specializuar në libra elektronikë dhe audio-libra, për të cilët ai ka përkthyer më parë, ka kaluar në një proces të njohur si post-redaktimi, kur një përkthyes i AI-e së ka fjalën e parë në përkthimin e një teksti, përpara se redaktori njerëzor ta kontrollojë dhe të bëjë ndryshimet.

Nuanxed, kompania e cila e lehtëson përkthimin përmes post-redaktimit, ka thënë se teksa përkthyesit janë “thelbësorë në mbrojtjen e literaturës me cilësi të lartë në përkthim”, “metodologjitë e tyre duhet të evoluojnë, së bashku me përparimet teknologjike”. CEO i kompanisë, Robert Casten Carlberg, ka thënë “integrimi i AI-në në mjetet e përkthyesit” do të rrisë produktivitetin “pa sakrifikuar kreativitetin apo cilësinë”.

Megjithatë, Smalley tha se ka shqetësime se post-redaktimi mund të krijojë “shumë më shumë punë” për përkthyesit, të cilët duhet të krahasojnë me kujdes tekstet për të gjetur leximet e gabuara dhe stilin “e dobët ose atë që nuk është me idioma”. “Kolegët që kanë bërë këtë lloj pune të post-redaktimit, thonë se kërkon një shkallë shumë më të lartë vëmendjes, sepse teksti i krijuar nga AI-ja shpeshherë lexohet në mënyrë kaq të besueshme”, tha ajo.

Rezultatet e sondazhit vijnë në vazhdën e bumit të popullaritetit të librave të përkthyer, theksoi Bunstead. Ai shtoi se “përkthyesit, si të gjithë profesionistët e lirë, mund të kalojnë në periudha të dobëta. Nuk do t’i dinë gjithmonë arsyet se pse, por AI-ja aktualisht është shpjegimi i qartë. Disa vite më parë, izolimi nga Breksiti ishte rrënja e të gjitha shqetësimeve tona për paratë”.

Nga 787 anëtarët e SoA-s të cilët u përgjigjën – përfshirë autorët, skenaristët, poetët dhe gazetarët, si dhe ilustruesit dhe përkthyesit – 94 përqind raportuan se kërkonin merita ose kompensim kur puna e tyre përdoret për të zhvilluar mjetet gjeneruese të AI-së. Në aspektin e sondazhit, SoA tha se ekziston një “nevojë urgjente” për një rregullator qeveritar për mjetet e AI-së, për t’u siguruar se ato do të zhvillohen dhe përdoren “në mënyrë etike dhe të ligjshme”.

“Jam i sigurt se akti i përkthimit kreativ dhe letrar do të vazhdojë të jetojë në një formë ose tjetër”, tha Giles. “Shumëkush ka dëshirë të madhe për të përkthyer, dhe unë gjithashtu besoj se ka një publik që dëshiron përmbajtje të përkthyer nga njeriu”.

Nga: Ella Creamer / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

LEXO EDHE:

Back to top button