Interesim i ulët i adoleshentëve për tu vaksinuar
Gazetare: Vjollca Aliti
Interesim i ulët i adoleshentëve për tu vaksinuar. Që nga 17 korriku kur dhe filloi vaksinimi i moshave nga 12-18 vjeçare, me dy doza janë vaksinuar më pak se 6000 adoleshentë, shkruan Alsat.
Nga Poliklinika Bukuresht në Shkup e cila është njëra nga pikat e vaksinimit kundër Kovid thonë se Brenda ditës vaksinojnë 5 deri 10 fëmijë të moshës nga 12-18 vjeçare. Shtojnë se kanë pritur që interesimi I fëmijëve për tu vaksinuar të jetë më I lartë, megjithatë grup moshat mbi 60 vjeçe mbeten kategoria më e interesuar e qytetarë si për dozën e parë ashtu dhe për të tretën.
“Në nivel ditor kemi 5-10 fëmijë që vijnë vaksinohen. Që nga fillimi e deri më sot numri i fëmijëve të cilët janë vaksinuar në pikën tonë, është nga 500-700 fëmijë nga 12-18 vjeç. Gjithsesi, pritëm se do ketë interesim më të madh për fëmijët, megjithatë ajo nuk është fajin jonë. Interesimi më I lartë është tek grup moshat më të mëdha”, tha Silvana Mirkoska, Poliklinika Bukuresht – Shkup.
Mjekët thonë se adoleshentët e prekur me koronavirus, shpesh kanë komplikime të rënda në rrugët e frymëmarrjes si dhe meningjit.
“Llojet e reja të virusit që u paraqitën janë më virulente dhe tek fëmijët japin pasoja më të mëdha. Pasqyra klinike tek fëmijët është më e rëndë, nuk është e lehtë sikur lloji i pari i virusit kur u paraqit”, u shpreh mjeku Aleksandar Ristevski.
Ristevski shpjegon arsyet përse OBSH-ja rekomandon vaksinimin e adoleshentëve nga OBSH. Apelon që prindërit të mos hezitojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre sepse deri më tani, vaksina anti Covid nuk ka treguar efekte negative.
“Deri më tash vaksinimi i fëmijëve nuk ka pasur ndonjë efekt negativ, sikurse vaksinat e tjera edhe kjo i jep ato efekte. Thjesht shton imunitet kundër Kovid19. Apeloj që të kryhet imunizim i fëmijëve të moshës nga 12-18 vjeçare, por jo vetëm për këtë por apeloj edhe për çdo vaksinë tjetër që është në kalendarin e rregullt shëndetësor për imunizim”, tha tutje, Ristevski.
Adoleshentët vaksinohen vetëm me Pfizer. Vaksinimi në kryeqytet kryhet në tre poliklinikat, në Çair, Bukuresht dhe në Poliklinikën Jane Sandanski.
Qeveria njoftoi se ministria e Shëndetësisë do të blejë gjysmë milion doza të vaksinës Pfizer, 10.000 prej të cilave janë pediatrie, apo të dedikuara për fëmijë të moshës nga 5-12 vjece.
Për momentin në Maqedoni vaksinimi kundër Kovid rekomandohet nga mosha 12 vjeçare, ndërsa pritet që Komiteti për imunizim periudhës së ardhshme të rekomandojë edhe vaksinimin e fëmijëve nga 5 vjeç./ Alsat.mk








