Tajon Bukanan është i përzgjedhuri i Interit për t’u afruar në merkatan e janarit. “Zikaltrit” përballen me mungesën e gjatë të Huan Cuadrados, që për shkak të një operacioni do të rikthehet vetëm në muajin prill dhe pikërisht për këtë arsye janë ët detyruar të hyjnë në merkato muajin e ardhshëm.
Anësori kanadez është edhe i përzgjedhuri i dyshes Marota-Ausilio, që duhet theksuar se kanë monitoruar Bukanan-in gjatë dy viteve të fundit. Futbollisti ka kontratë me Klub Brizhin deri në verën e 2025-ës, por fill pasi mësoi për interesin konkret të Interit, nisi edhe presionin ndaj belgëve, teksa në ndeshjen e fundit nuk është grumbulluar. Klub Brizh kërkon 10-12 milionë euro për kartonin e Bukanan-it, teksa Marota duket se ka marrë tashmë edhe miratimin e presidentit Stiven Zhang, për të transferuar kanadezin në huazim me detyrim blerjeje.
Marrëveshja pritet të mbyllet që në ditët e para të janarit, me qëllim që Simone Inzaghi të ketë Bukanan në dispozicion sa më shpejt.
Mbrojtësi kanadez, që në shkurt do të festojë ditëlindjen e 25-të, pritet të jetë jo vetëm një përforcim për të tashmen te “zikaltrit”, por edhe për të ardhmen, duke qenë se kontrata e Kuadrados skadon në verë dhe holandezi Damfries nuk ka pranuar rinovimin, andaj me shumë gjasa do të shitet.








