Internet më i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë, prezantohet nisma “Rrjet Pa Urrejtje”
Internet më i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë, prezantohet nisma “Rrjet Pa Urrejtje”
Një grup fëmijësh kanë prezantuar nismën “Rrjet Pa Urrejtje” që ka për qëllim të sigurohet internet më i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë. Ngjarja u organizua nga UNICEF dhe Fondacioni Telekom Maqedoni, në bashkëpunim me Lidhjen e Skautëve të Maqedonisë. Të rinjtë prezantuan ide konkrete kundër dhunës kibernetike dhe gjuhës së urrejtjes, përfshirë platforma online, debate në formë podcasti dhe aktivitete për rritjen e ndërgjegjësimit në shkolla. U prezantua gjithashtu një udhëzues i ri me aktivitete praktike për parandalimin e dhunës online. Sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit, 34 raste të dhunës mes bashkëmoshatarëve janë denoncuar këtë vit në Ministrinë e Arsimit, por asnjë rast nuk është denoncuar për dhunë përmes internetit.
“Kur e nisëm këtë partneritet me UNICEF-in, e dinim se urrejtja online është një nga kërcënimet më të mëdha për një shoqëri digjitale të barabartë. Duhet t’u japim fëmijëve zë dhe mjete për të krijuar një botë online më humane”, deklaroi Goran Markoviq, Telekom Maqedoni. /Alsat.mk








