Irani i jep lamtumirën e fundit Ali Khameneit, tensionet me SHBA-në dhe Izraelin përshkallëzohen
Gazetare: Ilirida Sulejmani
Irani i dha lamtumirën e fundit liderit suprem, Ali Khamenei, duke mbyllur një javë ceremonish mortore. Ceremonitë nisën në Teherani të enjten e kaluar, ku qindra mijëra qytetarë u mblodhën për t’i bërë nderimet e fundit liderit që udhëhoqi Republikën Islamike për gati katër dekada. Lutjet u drejtuan nga djali i tij Mostafa Khamenei, ndërsa në ceremoni nuk u shfaq Udhëheqësi i ri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili vazhdon të mbetet i padukshëm në syrin e publikut.
Qytetarët e veshur me të zeza, të cilët mbanin flamuj iranianë të kuq dhe të zinj, që simbolizojnë zinë dhe hakmarrjen , portrete të Khameneit e slogane të ndryshme, brohoritën parulla kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke kërkuar hakmarrje për vdekjen e ish-udhëheqësit suprem. Kjo vjen pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të reja ajrore kundër Iranit herët të enjten, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke goditur vendet e Lindjes së Mesme aleate të SHBA-së ku shkëmbimi i sulmeve kërcënoi një marrëveshje të përkohshme e cila synonte t’i jepte fund luftës në Lindjen e Mesme.
Sulmet nga të dy anët, edhe ato të një dite më parë, kanë kërcënuar vazhdimisht armëpushimin. Sipas raportimeve të mediave, Izraeli e paralajmëroi qeverinë amerikane për planet iraniane për të vrarë Presidentin Donald Tramp, por detajet e atij plani aktualisht nuk dihen.
Kryeminstri izraelian, Benjamin Netanyahu, e bëri të qartë të enjten se lufta nuk ka mbaruar ende.
“Lufta nuk ka mbaruar ende. Jemi të përgatitur për çdo skenar dhe e dimë një gjë: duhet të jemi gjithmonë më të fortë se armiqtë tanë. Kam vendosur të shtoj edhe 350 miliardë shekel apo 115 miliardë dollarë në buxhetin e mbrojtjes gjatë dekadës së ardhshme ku një pjesë e madhe e kësaj shume shkon për Forcat Ajrore,” – Benjamin Netanyahu ( Kryeministri i Izraelit ).
Khamenei u vra në momentet e para të luftës midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit dhe u varros në qytetin e tij të lindjes, Mashhad. Ai është udhëheqësi i dytë i Iranit që prehet në këtë vend.








