Ivanovska: Nevojitet mbrojtje më e madhe për informatorët
Ivanovska: Nevojitet mbrojtje më e madhe për informatorët
Gazetar: Igor Stefanovski
Informatorët nuk janë të mbrojtur. Pesë vjet pas zbatimit të Ligjit sot e kësaj dite ka anomali. Kryetarja e antikorrupsionit Biljana Ivanovska ndau një shembull të një informatori, shkruan Alsat.
Ndonëse ka raportuar për parregullsi në punën e drejtorit të Institucionit, askush nuk e ka mbrojtur atë. Në ndërmarrjen publike kishte një numër të vogël të punonjësve dhe pasi u zbulua se kush ishte denoncuesi, ai është larguar nga puna. Pas një procesi gjyqësor që zgjati më shumë se 2 vjet, informatori është rikthye në punë. Ivanovska kërkon që procedurat gjyqësore me informatorët të mbarohen më shpejtë.
“Avokatëve, gjykatësve u duhet trajnim dhe mendoj që këto çështje në gjykime duhet të shkojnë më shpejtë, sepse këtu do të them sërish nga shembulli që shohim se njeriu nuk mbeti as në qiell as në tokë për dy vjet, mbeti pa punë”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.
Për zbatimin me sukses të Ligjit të Informatorëve, zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë thotë se është e rëndësishme që të gjithë zyrtarët, veçanërisht ata që punojnë me informatorët, të kenë integritet.
“Kemi nevojë për njerëz që kanë guximin ta raportojnë atë, megjithatë ne kemi nevojë edhe për institucione që do të mbrojnë dhe garantojnë konfidencialitetin e tyre”, deklaroi Sllavica Grkovska, zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.
Deri më tani në Komisionin Kundër Korrupsionit janë pranuar mbi 30 denoncime, por tre raste janë në procesim. Informatorët, përveç Komisionit Kundër Korrupsionit, rastet e dyshimeve për punë të paligjshme mund t’i denoncojnë edhe në Ministrinë e Brendshme, Prokurori, Avokati i Popullit, dhe Institucionin ku punojnë nëpërmjet zyrës së posaçme për informatorë. /Alsat.mk








