Janevska: 2.000 vende më pak në universitete, kuotat përshtaten me tregun e punës

Gazetare: Melihate Rustemi

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit ka paralajmëruar ndryshime në disa nivele të sistemit arsimor. Sipas ministres, Vesna Janevska, këtë vit janë ulur për rreth 2.000 vendet për regjistrimin e studentëve në universitetet e vendit, kryesisht në degët ku ka më shumë të papunë, ndërsa kuotat janë ruajtur në profesionet ku kërkesa për punëtorë është më e madhe. Sipas ministres, sistemi arsimor duhet të përshtatet me nevojat e tregut të punës, ndërsa universitetet duhet të zhvillojnë edhe programe të reja për profesionet që do të kërkohen në të ardhmen.

“Më shumë kemi ulur kuotat në degët e biznes-administrimit, administratës publike, në disa programe në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik, sepse aty paraqitet një numër më i madh i të papunëve, si dhe në degët e mjekësisë. Ndërkaq, pothuajse të pandryshuara kanë mbetur degët teknike, informatika, makineria dhe ndërtimtaria. Atje punësueshmëria është në nivel shumë të mirë dhe arrin diku në 98-99 për qind”., tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Në një intervistë për MIA, Janevska tha se në fund të gushtit pritet të vazhdojë edhe diskutimi për tre ligjet për arsimin e lartë dhe shkencën. Ato aktualisht janë të bllokuara në Kuvend për shkak të kërkesës së opozitës shqiptare për zbatimin e parimit të Badenterit. Janevska shpreson se do të mbizotërojë arsyeja dhe se çështjet politike nuk do të pengojnë miratimin e ligjeve, të cilat, sipas saj, janë në interes të të gjithë të rinjve në vend.

Sipas Janevskës, nga ky vit akademik studentët do të mund të vendosen në dy konvikte tërësisht të rikonstruktuara në Shkup. “Stiv Naumov” do të nisë të pranojë studentë nga 1 tetori, ndërsa “Kuzman Josifovski-Pitu” pritet të hapet rreth 1 nëntorit. Janevska tha se rikonstruimi do të vazhdojë edhe në konviktet e tjera në vend. Me rinovimin ndryshon edhe çmimi i akomodimit. Për “Stiv Naumov”, pagesa rritet nga 3.500 në 6.600 denarë. Ministrja thotë se shteti do të vazhdojë të marrë pjesën më të madhe të kostove.

“Shteti përsëri do të marrë pjesë me një shumë më të madhe se studentët, gjë që është në rregull dhe është politika jonë, por ndryshimet duhet të bëhen. Për pjesëmarrjen e ulët kemi pasur vërejtje edhe nga Enti Shtetëror i Revizionit, ku është kërkuar që të rishikohet sërish çështja e pjesëmarrjes si të studentëve, ashtu edhe të shtetit. Ky është një problem afatgjatë, prej 20 vitesh kjo çështje nuk është zgjidhur”, ka theksuar Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor, Janevska thotë se shpërndarja e teksteve shkollore është drejt përfundimit dhe se nuk priten mungesa për vitin shkollor 2026/2027. Sipas saj, përgjegjësia për porositjen e sasisë së nevojshme të teksteve është e shkollave. Ato që nuk kanë raportuar me kohë nevojat e tyre do të duhet të sigurojnë vetë tekstet që mungojnë. Një tjetër çështje mbetet rënia e numrit të nxënësve. Janevska tha se aktualisht janë regjistruar mbi 4.000 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Megjithatë, ministrja thotë se kjo shifër nuk është përfundimtare dhe pritet të ulet deri në fund të shtatorit, pasi një pjesë e fëmijëve ende nuk janë regjistruar ose nuk janë futur në ditarin elektronik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button