Janevska prezanton ligjin e ri për arsimin e lartë – Fokus në cilësi dhe kërkim shkencor

Janevska prezanton ligjin e ri për arsimin e lartë - Fokus në cilësi dhe kërkim shkencor

Gazetare: Melihate Rustemi

Propozim ligji për Arsimin e Lartë dhe Cilësinë e Arsimit të Lartë edhe zyrtarisht u prezentua nga ministrja e Arsimit, Vesna Janevska. Rritje e cilësisë dhe kritere më të forta akademike janë një nga pikat më diskutuara të ligjit të ri. Çdo profesor do të jetë i detyruar të ketë nga 6 deri në 7 punime shkencore përpara zgjedhjes në titull, prej të cilave 3 ose 4 duhet të jenë të publikuara në revista me faktor impakti. Ndryshimet parashikohen në organizimin dhe financimin e universiteteve. Universitetet do të marrin më shumë mjete nëse përmbushin kritere të larta suksesi. Studentët që kanë studiuar në njërin nga 100 universitetet më të mira botërore me bursa shtetërore, ose fituesit e çmimit “Unaza e Inxhinierisë”, do të kenë përparësi punësimi në universitetet shtetërore. Mandati i rektorëve kthehet në 4 vite nga 3 që është aktualisht dhe ndryshon modeli i zgjedhjes së tyre.

Në propozim ligjin për arsimin e lartë, neni 124 thotë se studime të doktoratës mund të organizojnë vetëm universitetet që janë në mes të katër më të ranguarve. Kjo do të thotë se shumë universitete, përfshirë Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe “Nënë Tereza”, nuk do të mund të organizojnë studime doktorate. Ministrja Janevska tha se deri në një rangim nacional të ri që pritet të realizohet në vitin e parë të miratimit të ligjit kjo e drejtë nuk ju mohohet universiteteve.

“Por, përveç asaj që kemi thënë se duhet të jenë të parët në listën e rangimit, ne u vendosim edhe kushte të tjera, për shembull: të ekzistojnë prej 10 vitesh, të kenë të publikuara të paktën 500 punime shkencore, të kenë nga tre mentorë për çdo program studimor; Dhe disa kushte të tjera që do të duhet t’i plotësojnë në mënyrë kumulative, pavarësisht nëse gjenden të parët apo të fundit në listën e rangimit”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Me këtë ligj parashikohet riorganizimi i Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë. Planifikohet shfuqizimi i bordeve për evaluim dhe akreditim, të cilat ekzistonin në përbërje të Agjencisë, dhe në vend të tyre do të formohet një këshill që do të punojë me komisione ekspertësh. Këshilli do të përcaktojë procedurat për evaluim, vetë evaluim, akreditim, si dhe mbikëqyrjen e punës së institucioneve të arsimit të lartë dhe subjekteve kërkimore-shkencore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button