Dyert e mbyllura në Kuvend, PDK kërkon vazhdimin e seancës
Deputetët e PDK-së dhe AAK-së u paraqitën në Kuvend dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive. PDK-ja i kishte bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që seanca të vazhdonte sot nga ora 11:00, por deputetët e kësaj partie i gjetën dyert e sallës së seancave plenare të mbyllura. Ata thonë se Kurti dhe partia e tij i mban peng institucionet, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje nga ana tjetër, tha se duhet të ketë marrëveshje politike për presidentin, ose vendi do të shkojë në zgjedhje të reja. Administrata e Kuvendit ka sqaruar se për datën 16 gusht nuk kishte pranuar asnjë njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.







