Jepet ideja e qeverisë teknike, Taravari: Partitë politike të zgjedhin ekspertët

Jepet ideja e qeverisë teknike, Taravari: Partitë politike të zgjedhin ekspertët

Gazetare: Fatlume Dervishi

Presidenti i shtetit e ka për detyrë t’i mbledhë partitë politike për shkak të kaosit të përgjithshëm që ekziston në shtet. Ky është mendimi i nënkryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili propozon formimin e një qeverie të përkohshme ekspertësh për të cilën do të duhet të pajtohen të gjitha partitë.

“Apeli im është që partitë politike t’i zbulojnë ekspertët e caktuar të cilët për një vit ose një vit e gjysmë do ta përgatisnin vendin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat duhet të mbahen ose vitin e ardhshëm 2023 apo në 2024. Këto emra të mos jenë emra të cilët rrjedhin prej partive politike, por njerëz të cilët njihen si ekspertë në lëmi të ndryshme, shqiptarë dhe maqedonas, të cilëve do t’u besonin të gjithë partitë politike sepse kanë kredibilitet profesional”, deklaroi Arben Taravari, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Në situatën aktuale, ndryshimet kushtetuese janë të pamundura. Taravari beson se qeveria teknike do të ishte zgjidhje edhe për këtë.

“Ta rregullojnë pak në aspektin e krizave energjetike, krizave ekonomike, krizave shëndetësore, arsimore. Ky do të ishte një stabilizim i vendit dhe përgatitje e vendit për t’i filluar negociatat dhe për t’i bërë ndryshimet kushtetuese eventuale të cilat janë të domosdoshme për vendin tonë”, u shpreh Arben Taravari, nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Ideja nuk është diskutuar as brenda partisë dhe as me partitë e tjera megjithatë Taravari beson se gjatë ditëve të ardhshme duhet të shqyrtohet seriozisht.

Për momentin, VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjedhje të parakohshme dhe të marrë pushtetin sa më shpejt që është e mundur, kurse LSDM-ja dhe BDI-ja thonë se zgjedhjet do të mbahen në afatin e rregullt në vitin 2024. Idenë e qeverisë së ekspertëve nuk e ka komentuar asnjëra nga partitë e tjera deri më tani. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button