Ju tërhoqën dhe tani do të kërkojnë para: Po vjen abonimi për përdorimin e disa rrjeteve sociale

Ju tërhoqën dhe tani do të kërkojnë para: Po vjen abonimi për përdorimin e disa rrjeteve sociale

Meta planifikon modele të reja parapagese për Facebook dhe WhatsApp

Meta po planifikon të testojë modele të reja parapagese në muajt e ardhshëm, të cilat do t’u mundësojnë përdoruesve qasje në funksione ekskluzive në Facebook dhe WhatsApp, ka konfirmuar kompania për TechCrunch.

Sipas Metës, këto parapagime do të fokusohen në rritjen e produktivitetit dhe kreativitetit, si dhe në përdorimin më të avancuar të inteligjencës artificiale.

Kompania thekson se nuk ka plane për t’i bashkuar aplikacionet në një “paketë të vetme me pagesë”. Instagrami, Facebook-u dhe WhatsApp-i do të vazhdojnë të jenë falas për përdorim bazë. Megjithatë, përdoruesit që kërkojnë më shumë opsione do të kenë mundësi të përfitojnë nga një përvojë “premium”, me veçori shtesë dhe kontroll më të madh mbi funksionet.

Meta nuk do të ofrojë një paketë fikse parapagimi. Në vend të kësaj, kompania planifikon të testojë funksione dhe kombinime të ndryshme me pagesë, ku secili aplikacion mund të ketë veçori të veçanta të parapagimit.

Inteligjenca artificiale bëhet pjesë kyçe e strategjisë së Metës

Një nga shtyllat kryesore të kësaj strategjie është inteligjenca artificiale Meta AI. Meta synon që Meta AI të jetë i aksesueshëm falas për përdoruesit, por njëkohësisht të integrohet më thellë në aplikacione dhe shërbime, duke ofruar edhe funksione të avancuara me pagesë.

Ka sinjale se Meta po punon për integrimin e kornizës së Meta AI edhe në Instagram.

Po ashtu, Meta do të testojë veçori të reja të bazuara në AI, përfshirë funksionin “Vibes” – një mjet për gjenerimin dhe remiksimin e videove të shkurtra përmes inteligjencës artificiale brenda ekosistemit Meta AI.

Vibes fillimisht u lançua falas në fillim të vitit, por tani Meta planifikon një model të ri: funksionet bazë do të mbeten falas, ndërsa opsionet më të avancuara do të kërkojnë parapagim. Pra, përdoruesit do të mund ta përdorin shërbimin, por veçoritë “premium” do të jenë me pagesë.

Çfarë mund të përfshijë parapagimi në Instagram?

Edhe pse nuk pritet që WhatsApp dhe Facebook të kenë funksione të reja të paguara për përdoruesit e zakonshëm, sipas informacioneve nga burime të brendshme, parapagimi në Instagram mund të përfshijë:

  • krijim të pakufizuar të listave për audiencë specifike

  • shikimin e profileve që ju ndjekin, por që ju nuk i ndiqni

  • mundësinë për të parë kush i shikon Story-t, edhe kur ato janë anonime

Këto janë veçori që kërkohen prej kohësh nga përdoruesit që e përdorin Instagramin për krijim përmbajtjeje dhe menaxhim audiencash.

Meta thekson se ky shërbim nuk lidhet me programin Meta Verified. Meta Verified është i orientuar kryesisht për krijues dhe biznese dhe përfshin verifikim të llogarisë, mbështetje 24/7, mbrojtje nga imitimi, optimizim të dukshmërisë dhe përfitime të tjera.

Parapagimet e reja pritet të fokusohen më shumë te përdoruesit aktivë, krijuesit e përmbajtjes dhe llogaritë profesionale, duke ofruar më shumë fleksibilitet dhe opsione shtesë.

Rrezik apo sukses i ri për Metën?

Kjo lëvizje mund të rrisë ndjeshëm të ardhurat e Metës, por njëkohësisht mbart edhe rrezik, pasi përdoruesit janë mësuar prej vitesh që këto aplikacione të jenë falas.

Në një botë ku gjithnjë e më shumë aplikacione po kalojnë në modele me pagesë, Meta duhet të ofrojë arsye bindëse që përdoruesit të paguajnë për një shërbim tjetër.

Megjithatë, shembulli i Snapchat+ tregon se ky model mund të funksionojë. Snapchat+ kushton 3.99 dollarë në muaj dhe ka mbi 16 milionë parapagues aktivë.

Meta thotë se do të vazhdojë të mbledhë reagime nga përdoruesit, ndërsa teston këto veçori të reja gjatë muajve në vijim.

LEXO EDHE:

Back to top button