Ka nisur zbatimi i marrëveshjes Kosovë- Serbi për targat

Pas 13 ditësh bllokada ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë. Në Jarinjë nuk ka më kamionë të protestuesve dhe nga aty është larguar edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës. Kamioni i cili përmbante mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin” u largua i fundit.

Në Bërnjak, ndërkaq, në mënyrë të organizuar janë larguar shumica e kamionëve që bllokonin rrugën për në pikën kufitare. Në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë parë pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se, nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, ky mision do të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka.

Asnjë prej zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës nuk është prononcuar rreth zhvillimeve të sotme në veri të Kosovës. Nga ana tjetër kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, tha për mediat se qetësia i nevojitet edhe serbëve, shqiptarëve, por edhe rajonit.

 Kjo marrëveshje është arritur mes Prishtinës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Është e rëndësishme që nuk ka pasur incidente, pasi që qetësia është e rëndësishme si për serbët ashtu edhe për shqiptarët dhe rajonin – tha Zoran Todiq- kryetar i Komunës së Leposaviqit.

Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë bllokuar nga serbët lokalë prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi. Por, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut. Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh shefi i delegacionit kosovar në Bruksel, Besnik Bislimi në një intervistë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova tashmë ka të gatshme 300 mijë pako me nga katër letra ngjitëse që do të fillojnë t’ua vendosin veturave nga Serbia, që nga 4 tetori.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button