Kalaja e Shkupit do të hapë dyert për vizitorë në muajin gusht
Gazetar: Avni Tahiri
Kalaja e Shkupit pritet të jetë e gatshme të mirëpresë vizitorë në fillim të muajit gusht. Punimet për rregullimin dhe funksionalizimin e objekteve në Kalanë e Shkupit po zhvillohen sipas planit. Brenda dy javësh pritet të përfundojë edhe rregullimi i Muzeut të Periudhës Otomane, ndërsa paralelisht po zhvillohen procedurat për regjistrimin e objekteve në kadastër, bëri të ditur drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestova. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, objektet e muzeve do t’i dorëzohen institucionit të Arkeologjisë, i cili do të kujdeset për rregullimin e interierit.
”Nga ana e realizuesit jam informuar se për dy javë do të jetë gati edhe muzeu i kohës së Perandorisë Osmane. Në mënyrë paralele po bëjmë edhe procesin për në kadastër që të mund t’i regjistrojmë objektet dhe t’ua dorëzojmë Arkeologjisë të cilët do ta zgjidhin pjesën e rregullimit të interierit dhe llogarisim që për një muaj apo muaj e gjysmë të jemi gati, pra në fillim të muajit gusht.”tha; Vesela Çestova, Drejtoreshë e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Sa i përket projekteve me prioritet për vitin 2026, sipas ministrit të Kulturës, Salla Universale, mbetet ndër kryesoret në kuadër të përgatitjeve për programin Shkupi Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028.
“Kënaqësi e veçantë është puna dinamike dhe e suksesshme e realizimit të rekonstruimit të sallës universale në Shkup. Me shpejtësinë e punëve si deri tani, rekonstruksioni duhet të përfundojë në afatin e caktuar dhe me rezultate të dukshme në periudhën e ardhshme.”tha ; Zoran Llutkov, Ministër i Kulturës dhe Turizmit.
Në kuadër të Shkupit si Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2028 parashikohen punime të gjera për përgatitjen e infrastrukturës kulturore dhe urbane të qytetit. Ato përfshijnë rikonstruksion dhe modernizim të objekteve kulturore ekzistuese, adaptim të hapësirave publike për aktivitete artistike, përmirësim të infrastrukturës teknike dhe digjitale, si dhe restaurim të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, bëhen përgatitje logjistike për organizimin e një numri të madh ngjarjesh kulturore dhe artistike. /Alsat.mk









