Kalas: Zgjedhjet në Kosovë hapin një faqe të re, dialogu me Beogradin thelbësor për rrugën drejt BE-së
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, tha se zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë krijojnë mundësinë për t’i dhënë fund më shumë se një viti bllokade politike. Sipas saj, tani u takon liderëve politikë që të veprojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar funksionalizimin e institucioneve.
“Zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë hapin rrugën për të kthyer faqen pas më shumë se një viti ngërçi politik. Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin e shpejtë të qeverisë”, shkroi Kallas në platformën X.
Kallas theksoi, gjithashtu, se përparimi në dialogun Kosovë–Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mbetet thelbësor për avancimin e Kosovës në rrugën evropiane.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, uroi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, duke theksuar njëkohësisht nevojën për bashkëpunim mes forcave politike.
“Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromise për të ndërtuar stabilitet institucional. Pres me padurim të kthehem në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur për të përshpejtuar punën për integrimin e Kosovës në BE dhe për të vazhduar punën për financimin e Planit të Rritjes”, shkroi Kos në platformën X.
Ajo shtoi se mezi pret të vizitojë Kosovën për të intensifikuar punën rreth integrimit evropian dhe vazhdimin e mbështetjes përmes Planit të Rritjes të BE-së.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka thënë se pjesëmarrja e ulët në votime tregon zhgënjimin e qytetarëve me situatën politike në vend. Sipas tij, ky nivel i ulët i pjesëmarrjes reflekton frustrimin publik të shkaktuar nga paqëndrueshmëria dhe bllokadat politike.
“Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet e parakohshme tregon se njerëzit janë të frustruar nga kaosi politik. Bashkëpunimi ndërpartiak është i nevojshëm për ta rikthyer vendin në rrugën e duhur dhe për të ecur drejt BE-së” shkruan Riho Terras, Raportues për Kosovën në Parlamentin Europian.
Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i cili ishte i vetmi mision ndërkombëtar që vëzhgoi zgjedhjet në Kosovë, vlerësoi se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa incidente madhore ndërsa u tha se kishte ndërhyrje nga Serbia.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Begaj theksoi se në këtë fazë është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm të Kosovës. Ai nënvizoi se bashkëpunimi politik dhe institucional është i domosdoshëm për përmbushjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës dhe për tejkalimin e sfidave të ardhshme. / Alsat.mk








