Kaosi me transportin mbetet i pazgjidhur, NQP-ja përmes njoftimit hutoi qytetarët

Kaosi me transportin mbetet i pazgjidhur, NQP-ja përmes njoftimit hutoi qytetarët

Gazetar: Avni Tahiri

Transporti publik në kryeqytet vazhdon me avazin e vjetër. Rrëmuja dhe pritja për autobus edhe sot shqetësoi qytetarët.

Edhe përkundër njoftimit të Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik (NQP) se nga sot do të funksionojë me kapacitet të plotë, në terren situata flet të kundërtën. Qytetarët vazhdojnë të ankohen për pritje të gjata.

“Në mëngjes thanë se do të ketë autobusë por sa e shoh ende nuk ka, tani pres ose autobusin me numër 9 ose 50 për në spitalin shtetëror”, tha një qytetar.

“Presim nga një orë, që është shumë, nuk e di deri kur do të vazhdoje kështu. Duhet të rregullohet. A e përdorni rregullisht transportin publik? Po, çdo ditë. Të presësh nga një orë në këtë të ftohtë është e tepërt” ,u shpreh një qytetare.

“Pak autobusë ka. Për ku udhëton? Për në Gjorçe Petrov. Nga cili vend? Nga Hasanbegu, mezi arrita. E dërgova edhe djalin në spital për sytë dhe ai shkoi në shtëpi e unë patjetër të kthehem”, tha një tjetër qytetar.

“Sot thanë se do të ketë autobusë! Jo, nuk ka. Prita një orë e më shumë në veri dhe erdha me autobus tjetër, erdha me autobusin me numër 35. Prita një orë autobusin me numër 9 por nuk kishte, shkuan dy autobusë dhe nuk u kthyen më”, nënvizoi një qytetar.

Sipas informatave jo zyrtare, në fundjavë autobusët e transportit publik të Shkupit mbetën pa naftë dhe për këtë arsye Ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk mundi të ofrojë shërbime për qytetarët.

Ndërkohë, transporti i reduktuar i transportuesve privatë vazhdon edhe më tej. Ata vazhdojnë të qarkullojnë vetëm pas orës 17:00 për shkak të kërkesës për rritjen e pagesës për kilometër. Nga kaosi me transportin publik, më së shumti pësojnë nxënësit dhe të punësuarit që shfrytëzojnë transportin publik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button