Kaosi në trafik, përditshmëri në Tetovë

Kaosi në trafik, përditshmëri në Tetovë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Kaosi në trafik është bërë përditshmëri në Tetovë. Qytetarët thonë se dalja në qytet është shndërruar në kokëçarje për ta, pasi humbin orë të tëra duke lëvizur me makina. Sektori i Punëve të Brendshme thotë se policët janë vazhdimisht në terren për të rregulluar trafikun, por kamera e Alsat në kulmin e kaosit nuk vërejti kurrfarë patrullimi.

“Kjo pamje që shihni pas meje me këtë tollovi makinash, ditëve të fundit, është bërë përditshmëri në Tetovë. Të duhet të paktën një orë për tu futur në qytet dhe për të dalë në anën tjetër. Të ardhurit për të pushuar këtu familjarët tanë, mërgimtarët, thonë se, më tepër stresohen kur dalin në qytet se sa pushojnë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje, me qëllim që kaosi të mos përsëritet në këtë periudhë të vitit vazhdimisht.

“Aspak s`mund të pushojmë, vetëm ngarkime ende, kjo nuk është pushim kjo është stres. Duhet të zgjidhet problemi i komunikacionit edhe atë urgjentisht. Gjithë e kanë premtuar asnjëri nuk e realizoi deri më tani”.

“Mos na pyet aspak për këto gjëra, s`ka as rregull asgjë, s’di çka të them, s’duhet koment, shiheni vetë si duket”.

“Katastrofë është kjo, rend askund nuk ka tek rrethi katastrofë, në parking katastrofë, s’merret vesh asgjë. Në vendlindje vijmë të pushojmë po ma jetë pa-lidhje s`ka kjo është katastrofë”.

Edhe pse nga organet e rendit, thuhet se policët janë vazhdimisht në terren, mesditën e sotme, në pjesën kryesore të rrugës së Ilindenit policë nuk kishte as për “Ilaç”.

Të pyetur se përse nuk ka patrulla në rrugën e Ilindenit, e cila gjatë ditës më shumë është e bllokuar se e lirë, nga SPB Tetovë nuk dhanë përgjigje konkrete, por përsëritën apelin për respektin të rregullave.

“Departamenti për komunikacion është plotësisht i përgatitur që me prezencë të policisë ta mbulojë gjithë zonën për të mundësuar qarkullim normal dhe të rrjedhshëm të komunikacionit. Shfrytëzojmë rastin të apelojmë shoferët që të respektojnë rregullat dhe të parkohen në vendet e caktuara për parkim, që të mundësojnë qarkullim të lirë të trafikut”, njoftojnë nga SPB, Tetovë.

Kërkuam qëndrim edhe nga komuna e Tetovës, nga ku premtuan se do e zgjidhin problemin./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button