Kapet furgoni me 13 emigrantë, MPB: Grupi trafikantëve ishte i organizuar

Në pamjet e dërguara në redaksinë tonë shihet si dalin nga automjeti transportues disa persona të fshehur pas ndjekjes së patrullave policor. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thonë se furgoni në ikje prej policisë kufitare është futur në një “qorrsokak” në fshatin Kosturnik, që gjendët në afërsi të vijës kufitare veriore, zonë ku bëhet trafikimi me emigrantët. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme thonë:

Dje rreth orës 15:00 në afërsi të autostradës Kumanovë-Tabanocë është hasur në një automjet të tipit ‘ford transit’ me targa SK ku janë gjetur 13 emigrantë nga Pakistani. Shoferi A.K. 34 vjeç nga fshati Rahçe (Shkup) është arrestuar dhe kundër tij pason kallëzimi penal si i dyshuar për trafikim me njerëz -njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Toni Angellovski deklaroi se kapja e këtij furgoni nuk ishte e rastësishme dhe se shoferi dyshohet se i përket grupit të organizuar të trafikantëve me emigrantët.

Nëse bëjmë krahasimin për periudhën 4 mujore të këtij viti me 4 muajt e parë të vitit të kaluar kemi ulje për 17% të përpjekjeve të hyrjes ilegale në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky është rezultat i punës së policisë për të ndaluar grupet e organizuara kriminale që merren me tranzitimin e emigrantëve. Për këto veprime kemi mirënjohje nga shërbimet policore të vende fqinje dhe të Bashkimit Evropian – deklaroi Toni Angellovski, Zëdhënës i MPB-së.

Në brezin kufitar të Jugut dhe të Veriut vazhdon të jetë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme për shkak të krizës së emigrantëve. Përveç policisë në brezin kufitar vazhdojnë të jenë masa të përforcuara edhe të forcave të armatosura ushtarake të ARM-së, thonë autoritetet. Krahas tyre të pranishëm janë edhe pjesëtarë ndërkombëtar të FRONTEX, por sërish kufijtë mbeten poroze dhe nëpër territorin e shtetit hasin emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika të cilën tranzitojnë për në Evropën Perëndimore.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button