Kasami premtoi ujë 24-orë, por tetovarët ende përballen me këtë problem

Kasami premtoi ujë 24-orë, por tetovarët ende përballen me këtë problem

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Një pjesë e madhe e qytetit të Tetovës një javë tashmë është pa ujë për pije, si pasojë e defekteve në rrjetin kryesor të ujësjellësit të Tetovës, në vendin e quajtur Leshnicë në malin Sharr, shkruan Alsat.

Në mungesë të ujit për pije, banorët e disa lagjeve, ujin e sigurojnë përmes çezmave publike të qytetit.

“Ujë s’kam hiç. E kam një kazan në mëngjes vjen një orë dhe pas një ore s’ka më gjithë ditën. Ai kazan s’na del as për të larë e as për asgjë. Dje kam dal në rrugë të Kodrës së Diellit kam mbush që në ora 10, kam mbush dy kazan aty”, thotë një banor.

“Me javë, me muaj s’ka. Kemi depo në shtëpi me bure çashtu, por ai ujë nuk pihet aromë të keqe mban, blejmë ujë çdo ditë prej dyqaneve”, shpreht një banbor tjetër.

Nga komuna e Tetovës thonë se po punohet në drejtim të riparimit të defekteve, por kushtet klimatike vështirësojnë kryerjen në kohë të sanimit. Ditë më parë, kreu i komunës Bilall Kasami, akuzoi pushtetin e kaluar që sipas tij, projektin e ujësjellësit e ka realizuar pa respektuar standardet e duhura.

“Gjatë kësaj periudhe të ftohtë dimri, ne ballafaqohemi me problemin e mospasjes së ujit nëpër shtëpitë tona. Kjo vjen nga investimi joadekuat duke mos i respektuar standardet e nevojshme për këtë ujësjellës. .. dua të ju siguroj se gjatë stinës së pranverës dhe zbutjen e kushteve klimatike, do të fillojmë edhe me riparimin e tërësishëm te rrjetit të ujit, dhe ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë”, tha Billall Kasami, kryetar i komunës.

Kanë reaguar edhe nga nisma Më mirë për Tetovën.

“Kryetarit të Komunës do t’i kërkojmë formimin e një komisioni hetimor ekspertësh që do të bëj vlerësimin e projektit, dokumentacionit të tenderimit dhe punën e realizuar në terren, me të cilat do përcaktohen shkaqet e problemeve të shpeshta që kemi. Nëse do të konstatohen keqpërdorime apo improvizime, personat përgjegjës dhe kompanitë realizuese duhet të bëhen publike. Qytetarët kanë nevojë për sqarime, përgjegjësi dhe zgjidhje!”, thonë nga nisma “Më mirë për Tetovën”.

Përndryshe, problemin më të madh me ujin për pije për momentin në Tetovë e kanë lagjet e pjesës së epërme të qytetit, por edhe pallatet shumë katëshe, të cilat nuk janë të furnizuara me hidrofor./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button