Katër terrorist të vrarë në Kosovë, Sveçla: 6 po kurohen në Novi Pazar

Katër terrorist të vrarë në Kosovë, Sveçla: 6 po kurohen në Novi Pazar

Gazetar: Adrian Kerimi

Ka arritur në katër numri i terroristëve të vrarë nga policia e Kosovës gjatë aksionit anti-terror në Manastrin e Banjskës në Zveçan. Policia e Kosovës ka njoftuar për identifikimin e trupit të katërt të pajetë i cili është lokalizuar në afërsi të manastirit. Dy terroristë të plagosur për trajtohen në spitalet e Kosovës, ndërsa ministri i brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi se edhe gjashtë terroristë të tjerë të plagosur po kurohen në spitalin e Novi Pazarit. Ai i bëri thirrje autoriteteve serbe që terroristët t’i dorëzojnë te institucionet ligj zbatuese të Kosovës.

“Sipas informatave të deritanishme, 6 terrorist të plagosur po trajtohen në Spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia ata t’ia dorëzojë menjëherë autoriteteve të Kosovës që të përgjigjen para drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Poashtu edhe cili do pjesëtar tjetër i cili ka arritur të ikë në Serbi, kërkojmë nga Serbia që ta dorëzojë”, tha Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.

Nga bastisjet dhe sekuestrimet ka rezultuar se në njërin nga automjetet janë gjetur edhe dokumente të politikanit nga lista serbe, nënkryetarit Millan Radojçiç për të cilin Policia e Kosovës dyshon se mund të ketë qenë pjesë e strukturës së organizuar terroriste. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha tha se terroristët dyshohet të jenë pjesë e “Grupit të Mbrojtjes Cilivile” dhe të ashtuquajturës “Severna Brigada” të cilat janë nën udhëheqjen e Radojçiç. Bilanci i arsenalit të sekuestruar përfshinë 24 makina, një mjet të blinduar, raketahedhës, pushkë automatike, dronë, municione dhe veshje ushtarake.

Paraditën e sotme, polici i vrarë të dielën nga terroristët serb, Afrim Bunjaku u shpall hero i kombit. Presidentja Vjosa Osmani gjatë shpalosjes së aktit tha se Republikën e Kosovës nuk ka forcë që do të arrijë ta gjunjëzojë.

“Kosova nga sot ka edhe një hero i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e qytetarëve tanë. Afrim Bunjaku u sfidua nga bandat e Beogradit. Heroi ynë ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë se Kosovës, ai tregoi trimëri të pashoq. Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin por bëhen me veprat e tyre”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se është duke u punuar në vërtetimin e veprave të rënda si vrasje, organizatë kriminale, cenim i rendit kushtetuese, sulm terrorist, cenim terrorist dhe bashkë veprim kriminal. Aksioni ka vazhduar edhe gjatë ditës. Policia dhe prokuroria është duke punuar në ekzaminimin e hapësirës ku janë zhvilluar përleshjet e armatosura mes policisë së Kosovës dhe grupit terrorist, ndërsa po kërkohen edhe anëtarët e tjerë të grupit të cilët janë arratisur nga vendi i krimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button