Sulmi në Veri – Çka thanë Vuçiq, Peskov dhe Daçiq

Sulmi në Veri – Çka thanë Vuçiq, Peskov dhe Daçiq

Gazetar: Isuf Kadriu

Një ditë pas sulmit ndaj policisë së Kosovës afër Manastirit në Banjskë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, të cilit i ka shprehur mirënjohje që i ka dëgjuar lutjet dhe kërkesat e palës serbe, shkruan Alsat.

Vuçiq njoftimin e bëri në Instagram por nuk sqaroi se çfarë kërkesash i ka bërë Moskës.

Ndërkohë zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov në një prononcim për agjencinë TASS tha se Moska po monitoron nga afër situatën e tensionuar dhe të rrezikshme në Kosovë. Ai doli me akuza se serbët po paragjykohen nga një strukturë tradicionale dhe e pabalancuar sipas tij.

“Situata është shumë komplekse. Në situatën në Kosovë shohim paragjykime tradicionale ndaj serbëve, është një qasje tradicionale dhe e pabalancuar. Situata është vërtet shumë e tensionuar dhe potencialisht e rrezikshme, po e ndjekim me shumë kujdes. Por fakti që shpesh organizohen provokime të ndryshme kundër serbëve nuk është sekret për askënd”, tha Dimitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Ndërkohë, Zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiq tha se Serbia duhet të ketë kujdes nga të gjitha provokimet dhe serbët në Kosovë duhet të qëndrojnë të qetë dhe t’i besojnë Serbisë e cila do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen pas përleshjeve të djeshme.

Daçiq ka thënë për televizionin Prva se bashkësia ndërkombëtare po lejon që të ndodhë një konflikt në Kosovë  duke lënë serbët të pushkatohen nga policia e Kosovës.

Nga ana tjetër, Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq dyshon se sulmi ndaj policisë së Kosovës dhe aksioni i forcave të saj speciale për asgjësimin e tyre është i orkestruar. Ajo ka ngritur dyshime të shumta se si është e mundur që një numër kaq i madh të armatosurve të qëndrojnë në atë zonë dhe aksioni të përfundojë me vetëm disa të vrarë prej tyre.

“Po të ishin 30 serbë të vdekur, 30 vjet nuk do të kishte negociata”, ka thënë Trajkovski për televizionin “Nova C” duke hedhur dyshime për përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare në nxjerrjen e tyre nga Manastiri.

“Unë mendoj se presidenti i Serbisë ishte në negociata gjatë gjithë ditës dhe se bashkësia ndërkombëtare po punonte në projektin për t’i nxjerrë ata njerëz në Serbinë qendrore për të shpëtuar jetën e tyre. Unë kam dijeni se ka pasur një diskutim dhe se dikush duhet të marrë ata njerëz dhe përgjegjësinë për ta në kuptimin që së bashku do të punojmë për të përcaktuar arsyet, motivet dhe gjithçka që ka ndodhur”, u shpreh Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova.

Trajkoviq tha se për të fshehur motivet e vërteta të incidentit Vuçiq tani gjithë fajin për këtë do t’ia hedh serbëve të Kosovës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button