KE: 20 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian synon që, gjatë dekadës së ardhshme, të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, thuhet në një plan investimi që ka parë Radio Evropa e Lirë.

Draft-dokumenti thekson se prioritet do të jenë lidhjet më të mira të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, brenda rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian.

“Një gjë e tillë kërkon një angazhim të fuqishëm nga Ballkani Perëndimor për zbatimin e reformave themelore, për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe për zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal, bazuar në legjislacionin e BE-së, për ta bërë rajonin një zonë më tërheqëse për investime”, thuhet në dokument.

Paketa, e paralajmëruar në kulmin e krizës nga pandemia COVID-19, do të paraqitet nga Komisioni Evropian të martën pasdite.

Bashkimi Evropian konfirmon se rajoni do të përfitojë shumë nga përpjekjet e intensifikuara, që synojnë “kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës, jo vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe të përfundimit me sukses të dialogut, me ndihmën e BE-së”.

Paketa po ashtu parashikon që, përveç granteve, Bashkimi Evropian të ofrojë garanci që ndihmojnë në uljen e kostove për investime publike dhe private dhe, në këtë mënyrë, zvogëlojnë rreziqet për investitorët.

LEXO EDHE:

Back to top button