KE: Ballkani Perëndimor me pak përparim në rrugën drejt BE-së

Komisioni Evropian të martën (19 tetor) prezantoi Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit.

Paketa e zgjerimit, që përfshin edhe raportet vjetore të progresit për vendet në këtë proces, konstatoi vetëm një përparim të kufizuar të këtyre vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Dokumenti u paraqit nga Komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi – autor i paketës.

Gjatë prezantimit komisioneri Varhelyi tha se politika e BE-së për zgjerimin është interes strategjik i bllokut për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në këtë rajon.

“Është proces i bazuar në merita, të cilit ne ia japim një vlerësim faktik dhe të drejtë, si dhe një udhërrëfyes të qartë për t’i përshpejtuar dhe thelluar reformat te partnerët tanë. Kjo është në përputhje me metodologjinë tonë të rishikuar të zgjerimit dhe e shton besueshmërinë e procesit”, tha ai.

Paketa mbulon gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) si dhe Turqia. Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur procesin e negociatave të pranimit, me Malin e Zi që ka hapur të gjithë kapitujt në këtë proces. Turqia po negocion gjithashtu anëtarësimin në BE, megjithëse në marrëdhënie të tendosura me institucionet e Brukselit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova janë në fund të listës sepse janë të vetmet vende që kanë perspektivë evropiane, por ende nuk kanë statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE.

KE publikon këtë raport një herë në vit dhe tregon situatën në të gjitha fushat kryesore, ku reformat janë të nevojshme që këto vende të përparojnë në procesin e integrimit evropian.

Ky dokument, si në vitet e mëparshme, paraqet një pamje gri të situatës, veçanërisht në fushat kryesore, siç është sundimi i ligjit. Progresi në këtë fushë është vendimtar për secilin vend për të bërë përparim në procesin e pranimit.

LEXO EDHE:

Back to top button