Keir Starmer ka dhënë dorëheqja nga pozita e kryeministrit dhe drejtuesit të Partisë Laburiste

Keir Starmer u dorëhoq nga pozita e kryeministrit dhe nga ajo e udhëheqësit të Partisë Laburiste. Ai u zotua se do të bëjë gjithçka që është në dorën e tij, për të garantuar një transferim të rregullt të pushtetit. Ai tha se u fut në politikë për të pasur mundësinë që të përmirësojë jetën e miliona njerëzve, dhe shtoi se çdo vendim i tij ka pasur për qëllim të vendosë në plan të parë “vendin që e do”.

“Pyetja që partia ime po më bën tani, është nëse unë jam personi më i përshtatshëm për të na udhëhequr në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Unë e kam dëgjuar përgjigjen e grupit tim parlamentar për këtë pyetje dhe e pranoj atë me mirësi”, deklaroi Keir Starmer, Kryeministër britanik në dorëheqje.

Starmer e ka cilësuar Ballkanin Perëndimor si vend ku testohet siguria e Evropës.

Duke mirëpritur Samitin e Procesit të Berlinit në tetor të vitit të kaluar, ai ka thënë se Ballkani Perëndimor, për një kohë të gjatë, ka qenë rrugë transiti për bandat kriminale të kontrabandës. Gjatë një vizite në Tiranë në maj të vitit të kaluar, Starmer ka paralajmëruar se Britania e Madhe do t’i intensifikojë përpjekjet për të luftuar rrjetet kriminale në mbarë Ballkanin Perëndimor, të cilat lehtësojnë emigrimin e paligjshëm. Në kuadër të këtij Samiti në Tiranë, Starmer kishte takuar edhe kryeministrin Hristijan Micksoki me të cilin u dakorduan për marrëveshje strategjike mes dyja vendeve.

Starmer mori pushtetin pas zgjedhjeve të përgjithshme më 4 korrik 2024, kur Laburistët fituan bindshëm dhe u dhanë fund 14 vjetëve të qeverisjes konservatore. Ai tha se procesi për zgjedhjen e pasardhësit do të fillojë më 9 korrik. Presioni ndaj Starmerit ishte rritur prej muajsh, por u thellua të premten e kaluar, kur Andy Burnham, kryetar i bashkisë Greater Manchester, fitoi bindshëm një zgjedhje parlamentare për t’u rikthyer në Parlamentin britanik.

Andy Burnham po përmendet gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Partisë Laburiste dhe për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe. Pozitat e tij janë forcuar edhe më tej pas fitores në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, rezultat që ka rritur pritshmëritë për një rikthim të tij në politikën kombëtare.

Megjithëse gëzon popullaritet të lartë në nivel rajonal dhe vjen pas një serie suksesesh elektorale, mbetet ende e paqartë nëse Burnham do të arrijë ta shndërrojë këtë mbështetje në një fitore për drejtimin e Partisë Laburiste dhe në rrugën drejt kryeministrisë britanike. Në qarqet politike londineze ai shihet aktualisht si një nga pretendentët më seriozë për të pasuar Starmerin në krye të partisë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button