Keqpërdorimi i balancuesit gjatë punësimeve, ASH-ja kërkon mbështetjen e BDI-së

Keqpërdorimi i balancuesit gjatë punësimeve, ASH-ja kërkon mbështetjen e BDI-së

Gazetar: Mefail Ismaili

Aleanca për Shqiptarët, i bënë thirrje BDI-së si partner në Qeveri që të mbështes iniciativat e marra nga kreu i partisë Arben Taravari që të mundësohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet e vendit me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të përkatësisë etnike për tu punësuar. Zëdhënësi, Blerant Ramadani thotë se tjetërsimin e kombësisë për një vend pune e konsiderojnë si jo etike dhe antiligjore.

“Bëjmë apel tek partnerët e koalicionit e të gjitha palët tjera e sidomos tek Bashkimi Demokratik për Integrim i cili e ka sensibilitetin natyror tek shqiptarët që njëherë e përgjithmonë të ndalen këto fenomene e ti përkrahin nismat e bartura nga Aleanca për Shqiptarët, sikurse Ligji për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat me mekanizma të qartë edhe ndëshkues edhe zbatues, amandamentimi i ligjit në sektorin publik për të ndalur keqpërdorimet në sektorin e sigurisë dhe e treta, futjen e përkatësisë kombëtare në certifikatë me qëllim që të ndalet njëherë për gjithmonë puna e tjetërsimit së kombësisë, nismë kjo veç më e filluar nga Ministria e Drejtësisë”, tha Blerant Ramadani, zëdhënësi i ASH-së.

Reagimi i ASH-së vjen një ditë pas lajmit se në komunën e Kumanovës tetë qytetarë maqedonas u punësuar si shqiptarë. Ramadani thekson se në vend ka institucione ku përfaqësimi i shqiptarëve është 0%, si në Agjencinë e Hekurudhave dhe në Agjencinë për Banim, ndërsa në Institucionet më të rëndësishme si në shërbimet e Qeverisë ku përfaqësimi i shqiptarëve është 6,9% ose në presidencë 12,7. Keqpërdorimi i balancuesit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, duke deklaruar kombësinë të ndryshme, është fenomen i vazhdueshëm në vendin tonë. Për çdo vit, dhjetëra qytetar deklarojnë përkatësi tjetër etnike vetëm për të zënë një vend pune në institucionet e pushteti lokal ose qendror. Pavarësisht reagimeve të shumta si të mediave por edhe të opinionit më të gjerë, nuk është marrë asnjë masë konkrete nga institucionet për të parandaluar deklarimi i rrejshëm të etnitetit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button