Vihet gurthemeli për Korridorin 10D, spektakli i sotshëm reprizë e 4 prillit

Vihet gurthemeli për Korridorin 10D, spektakli i sotshëm reprizë e 4 prillit

Gazetar: Adnan Qaili

Një buldozer, një greder dhe një kamion bënë “spektakël” mesditën e së premtes para udhëheqësisë së shtetit dhe investitorëve të huaj. Më shumë kishte kameramanë dhe fotoreporterë se sa punëtorë të konzorciumit “Bektel Enka” që duhej të nisnin sot punimet e Korridorit 10D. Njëkohësisht me shpalosjen e një pllakati, të cilën autoritetet e quajnë gur themel, u shënua nisja e ndërtimit të segmentit të autostradës që do të lidhë Prilepin me Manastirin. Kryeministri Kovaçevski vë theksin te ndryshimet ligjore, nga që me letra nuk dihet as si është projektuar dhe as sa do të kushtojë ky investim.

“Me ndryshimin e ligjeve aktuale do të realizohen projektet më sigurt dhe më me kualitet. Jo vetëm për këtë por edhe për projektet tjera strategjike që do mundësonin rritje të shpejtë ekonomike të shtetit”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Zëvendëskryeministri Grubi i bën thirrje opozitës që mos të bllokoj ndryshimet ligjore për Korridoret 8-10D. Me 5 projekt ligjet e dorëzuar të premten e kaluar, pushteti pretendon që ky projekt prej 110 kilometra të kushtojë 200 milion euro më lirë se sa të zbatohet me ligjet aktuale që lidhen më këtë investim.

“Jo Mickovski, por as edhe Shën Micko nuk mund ta ndaloj këtë projekt!”, u shpreh Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Megjithëse u parashikua të kushtoj 1,3 miliard euro, tani thonë se pa shtuar orarin e punës 60 orë në avë, pa hequr doganimin, akcizën dhe TVSH e gjithë materialit ndërtimor që “Bektel Enka” do të importojë nga jashtë dhe pa bërë ndryshimet ligjore me lehtësimin e konvertimit të tokës bujqësore në ndërtimore, ky projekt sipas tyre do të del 1,5 miliard euro, dhe pa përfshirë koston e shpronësimit të tokave private.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndërtimi nuk do të jetë as i lehtë e as i thjeshtë. Kemi sfida të mëdha në terren në këto vite të ardhshme, por dua t’ju dëshmoj se jemi të fokusuar maksimalisht në ndërtimin e këtij aksi rrugorë dhe të autostradës Korridori 8”, theksoi Bllagoj Boçvarski, Ministër i Transportit.

“Gurthemeli” i sotëm ishte reprizë e 4 prillit, për Korridorin 8 në aksin rrugorë Tetovë-Gostivar, projekt i cili për autoritetet është investimi më kapital historik në infrastrukturën rrugore. Drejtori i “Rrugëve Shtetërore” tha se ky projekt do të rritë zhvillimin ekonomik, duke lehtësuar transportin e mallrave, shërbimeve dhe të udhëtarëve me gjithë vendet tjera.

“Ky projekt ka rëndësi sepse lidhë rajoni ne Evropën dhe rreth 300 km kalojnë nëpër vendin tonë. E lidhë lindjen me perëndimit, kurse neve na lidh me dy portet detare të Burgasit në Bullgari dhe të Durrësit në Shqipëri”, u shpreh Ejup Rrustemi, Drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Ambasadori i BE-së Gir tha se flamuri i BE-së nuk duhet të keqpërdoret. Madje kritika të shumta për dyshime korrupsioni pati edhe nga shoqëria civile përse ky projekt u tërhoq nga fondet evropiane dhe u mundësua të bëhet nga buxheti i shtetit, të cilën taksapaguesit do ta mbajnë në shpinë për 5 vite buxhetore Nga opozita alarmojnë për afera korruptive edhe me kompanitë mbikëqyrëse të këtij projekti që do të marrin edhe mbi 22 milion euro./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button