Unioni i infermiereve kërkojnë paga më të larta dhe zgjidhjen e statusit të tyre

Unioni i infermiereve kërkojnë paga më të larta dhe zgjidhjen e statusit të tyre

Gazetare: Vjollca Aliti

Unioni I infermiereve të Maqedonisë e cilëson si nënçmuese rritjen e pagave të tyre prej 9,6% për infermieret me shkollim të mesëm dhe 5,8% për infermieret me shkollim të lartë. Ata thanë se kjo rritje nuk do t’i heshtë ata që në të ardhmen të vazhdojnë të kërkojnë avancimin e statusit të tyre, duke u kërcënuar madje me grevë të përgjithshme derisa pushteti nuk përfill kërkesat e tyre.

“Nuk jemi të kënaqur nga rritja e fundit e pagave dhe se ajo është diçka që kushtimisht na ndan nga minimalja shtetërore dhe se edhe më tej vazhdojmë me kërkesat për rritje pagash për infermieret me shkollim të mesëm dhe njohjen e shkollimit të lartë të infermiereve dhe të infermiereve që kanë kryer specializim në këtë fushë. Në krahasim me pagat e mjekëve jemi 3 me 1 ndërsa në krahasim me shtesat, jemi 1 me 5. Me këto rritje lineare të të gjithëve mbetemi në pozicionin e njëjte. Do kërkojmë ndoshta dhe masa më radikale ku në njëfarë mënyrë do ta ngremë zërin më fuqishëm dhe do vijmë në situatë ku do dëgjohemi”, tha Gordana Beshliovska, Unioni i Infermiereve të Maqedonisë “ Për ne”.

“Rritja e pagave është minimale sepse bëhet rritje lineare, vlen të theksohet se konsiderojmë se I bie se paga nuk është rritur aspak. Ne nuk do ndalemi këtu, së bashku me Unionin dhe me marrëveshje me Sindikatat që ne së pari të arrijmë deri në krijimin e Odës së infermiereve dhe në rritje të koeficienteve, sepse tash për tash jemi shumë ulët”, u shpreh Xhevat Salija, Shoqata e infermiereve shqiptare Gostivar.

Gjatë ditës së djeshme u firmos aneks marrëveshja mes Sindikatave të punonjësve shëndetësorë dhe Ministrisë së Shëndetësisë përmes së cilës punonjësit shëndetësor në sektorin publik pësojnë rritje të pagave, duke filluar nga paga e muajit mars. Marrëveshja parasheh rritje prej 3000 denarësh, 2500 dhe 2000 denarëve për të gjithë të punësuarit në institucionet publike shëndetësore. Ndryshe, rritja e pagave të punonjësve shëndetësor ka qenë një kërkesë e Sindikatave që nga viti I kaluar. Ministri I Shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se është I vetëdijshëm se kjo rritje nuk kënaq nevojat e punonjësve shëndetësor dhe se në të ardhmen do të angazhohet për rritje edhe më të lartë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button