Kërkon shpjegim për rastin me Muaremin – Joveski pret që Ruskovska të kthehet nga pushimet

Kërkon shpjegim për rastin me Muaremin - Joveski pret që Ruskovska të kthehet nga pushimet

Gazetar: Lluka Andreev

Nëse gjatë bastisjes në drejtorinë e Policisë Financiare konstatohen parregullsi apo lëshime, prokurori publik Lubomir Joveski do të kërkojë përgjegjësi, shkruan Alsat.

Ai në intervistë për revistën javore “Fokus” ka thënë se do të presë që të kthehet nga pushimet kryetarja e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, Villma Ruskoska dhe më pas t’i japë informacionet e nevojshme për detajet e bastisjes ndaj drejtorit të Policisë financiare, Arafat Muaremi.

“Pres të veprojë në bazë të obligimit ndërsa, nëse nuk ndodh kjo dhe nuk e dorëzon informacionin e plotë të kërkuar, unë si prokuror publik do t’i marr të gjitha hapat e domosdoshme për vërtetimin e fakteve relevante për përgjegjësi të mundshme të prokurorëve publik. E theksoj se nuk do të toleroj veprim joligjor”, tha Lubomir Joveski – prokuror publik republikan.

Joveski, për dallim nga Ruskoska e cila kërkoi që ai të mos përzihet në lëndët, thotë se sipas Ligjit për Prokurori Publike, ka të drejtë të kryejë monitorim ndaj procedurës.

“Neni 28 paragrafi 2 përcakton që, monitorim mbi realizimin ligjor dhe në kohë të funksionit të prokurorit publik kryen Prokuroria publike e RMV-së. Për çfarë përzierje këtu mund të bëhet fjalë, kur është qartë e përcaktuar me ligj. Dua të them se, si prokuror publik i RMV-së nuk do të lejoj mosrespektim të ligjeve”, tha Joveski.

Joveski në shtator paralajmëroi monitorim të plotë mbi punën e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërsa sa i përket vet bastisjes në Drejtori, ai përsëriti se prokuroret nuk kanë qenë kompetente të veprojnë në bazë të denoncimit për persona me autorizime policore dhe para gjykatës kanë paraqitur të dhëna të gabuara, me qëllim që t’u miratohet kërkesa për bastisje.

Përndryshe, Ruskoska pas kallëzimit anonim penal kundër Muaremit, nga Drejtoria i ka kërkuar të gjitha paraqitjet prej vitit 2018 e deri më sot, për të cilat policia financiare nuk ka vepruar. Megjithatë, nëse vërtetohet se në mënyrë joligjore e ka kryer bastisjen, asgjë nga dëshmitë e marra eventuale kundër Muaremit nuk do të mund të shfrytëzoj.

“Nëse dëshmi të caktuara janë siguruar në mënyrë joligjore, ato duhet të largohen nga shkresat”, u shpreh ai.

Paraprakisht, Arafat Muaremi ngriti kallëzim penal për veprat “keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar” kundër prokuroreve Villma Ruskoska, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska ndërsa denoncimin e bazon në raportin e realizuar pikërisht nga Prokuroria e Joveskit. Muaremi ngriti parashtresë edhe deri te Këshilli i prokurorëve publik, të cilët pritet të diskutojnë pas pushimeve verore./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button