“Kovaçevski të sqarojë kushtet e reja bullgare”

“Kovaçevski të sqarojë kushtet e reja bullgare”

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja kërkon që kryeministri Kovaçevski dhe qeveria të tregojë se çfarë dokumenti të ri do të ketë në lidhje me dialogun me Bullgarinë dhe me çfarë kushtesh do të jetë ai.

Sipas nënkryetarit të kësaj partie, zhvillimet e fundit vërtetojnë tezën e opozitës maqedonase, se kërkesat bullgare nuk do të kenë fund.

“Asnjëherë nuk do të ketë fund për kërkesat bullgare deri sa nga ana e Maqedonisë nuk ka politikë të qartë dhe të fuqishme. Bëhet fjalë për strategji 150 vjeçare nga Bullgaria, strategji e cila e mohon ekzistencën e popullit maqedonas, gjuhën, kulturën, historinë, traditën dhe veçantinë. Prandaj mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë është krijimi i një politike nacionale dhe krijimi i një qeverie e cila do t’i mbrojë interesat kombëtare, siç nuk është qeveria e cila për momentin e drejton vendin”, tha Aleksandar Nikollovski, VMRO.

LSDM-ja e quajti gënjeshtër pretendimin e VMRO-DPMNE-së për ndonjë dokument të ri me kushte. Mundësinë e një dokumenti të ri mes Shkupit dhe Sofjes e ka hedhur poshtë edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm bullgar Nikollaj Millkov deklaroi se ndoshta do të duhet një shkresë me detyrime dhe angazhime për të gjitha institucionet e vendit të tij për t’u arritur një qasje sistematike sa i takon procesit të dialogut me Maqedoninë e Veriut.

Bullgaria shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 2 tetor kurse për momentin drejtohet nga qeveria e përkohshme./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button