Institucionet shëndetësore nuk ndërmorën asgjë për izolimin e pacientit të dyshuar me linë e majmunëve

Institucionet shëndetësore nuk ndërmorën asgjë për izolimin e pacientit të dyshuar me linë e majmunëve

Gazetar: Adnan Qaili

Ende pa u zhdukur pandemia me virusin korona, një virus i rrezikshëm po kanoset për shëndetin publik. Simptomat e dyshimta për linë e majmunit te pacienti nga Kërçova nuk ngritën alarmin e institucioneve lokale atje, deri sa mediat alarmuan se një rrezik potencial është lënë në gjendje të lirë.

Akoma nuk dihet nëse ai është i infektuar apo vetëm ka simptome të dyshimta, megjithëse nuk ka pranuar të vij të testohet në Klinikën Infektive në Shkup.

“Megjithëse protokolli i transferimit të një pacienti të dyshimtë me infeksione të rrezikshme nga qytetet tjera deri në Klinikën infektive duhet të bëhet përmes autoambulancës, autoritetet lokale të shëndetësisë në Kërçovë nuk e kanë marrë masa dhe e kanë lënë pacientin në fjalë të veproj sipas vullnetit të tij të lirë”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

Tri ditë më vonë, pacienti 43 vjeç i kthyer nga Austria është lokalizuar, pas intervenimit të autoriteteve qendrore të shëndetësisë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pacienti, i cili ishte në gjendje të mirë dhe nuk rekomandohej shtrimi në spital.

Sipas tyre, për rastet e konfirmuara rekomandohet izolimi për kohëzgjatjen e simptomave, deri në shërim. Nëse i sëmuri është në gjendje të mirë, rekomandohet izolimi në shtëpi, ndërsa nëse pasqyra klinike është më e rëndë rekomandohet shtrimi në Klinikën Infektive.

“Pacienti është lokalizuar dhe komunikimi me familjen është vendosur nga epidemiologu kompetent nga Qendra e shëndetit publik-Manastir. Anketimi fillestar ka përfunduar dhe në vazhdim duhet të bëhet testi për të cilin kemi teste në dispozicion nga Instituti i shëndetit publik dhe presim që deri në fund të javës të kemi një përgjigje përfundimtare nëse është apo jo lija e majmunit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë, sipas informacioneve fillestare është konstatuar se të gjitha institucionet kompetente janë përfshirë në mënyrë aktive në procesin e analizave epidemiologjike, konfirmimit laboratorik dhe izolimit të rastit të dyshuar.

Simptomat karakteristike për linë e majmunit janë ethet, temperatura, puçrra në lëkurë, ndërsa sëmundja ngjitet përmes kontaktit fizik por edhe qëndrimit të gjatë me personin e infektuar. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button