Këshilli Gjyqësor, Lloga i reagon Jolevskit: Këshilli ta dorëzojë procesverbalin

Këshilli Gjyqësor, Lloga i reagon Jolevskit: Këshilli ta dorëzojë procesverbalin

Gazetar: Ardit Ramadani

Mos-dorëzimi i proces verbalit të seancës gjyqësore kur u shkarkua Vesna Dameva, ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga, edhe pse ai ka ditë që e ka kërkuar atë ka nxitur debat në qoftë se eventualisht ka përzierje të pushteteve. Lloga është shprehur i habitur me deklaratat e kreut të Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Jolevski, se ministrit nuk i takon të ketë mbikëqyrje në këtë dokument.

“Jam i befasuar nga deklarata e Kryetarit të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Antonio Jolevski dhe nuk kam pritur që një përfaqësues i lartë i drejtësisë, i cili duhet ta njohë Kushtetutën dhe ligjet, të deklarojë publikisht se ministri i Drejtësisë nuk ka të drejtë të kërkojë procesverbal nga Këshilli Gjyqësor. Sipas Kushtetutës, Ministri i Drejtësisë është anëtar i Këshillit Gjyqësor sipas detyrës zyrtare. Këshilli Gjyqësor fton rregullisht ministrin të marrë pjesë në seancat dhe dërgon raporte për punën e tij. Neni 15 i Rregullores përcakton se procesverbali, përveç të dhënave të tjera, përmban të dhëna për rendin e ditës që është konstatuar në seancë, parashtrimet, deklaratat dhe propozimet e të pranishmëve në seancë, diskutimin e zhvilluar, vendimet e marra dhe rezultatin e votimit”, ka theksuar Lloga.

ALSAT kontaktoi kryetarin e Këshillit të Prokurorëve Publik, Antonio Jolevski i cili tha se ministria e Drejtësisë si institucion, nuk ka të drejtë të kërkojë një dokument të tillë nga Këshilli Gjyqësor, ndërsa ministri, po.

“Nuk kam thënë se ministri i Drejtësisë s’ka të drejtë të kërkojë procesverbalin e seancës së Këshillit Gjyqësor. Ajo që kam thënë unë ka të bëje me ministrinë e Drejtësisë si institucion. Ata s’kanë të drejtë të përzihen në punët e Gjyqësorit. Nga ana tjetër, ministri Krenar Lloga si anëtarë i Këshillit Gjyqësor, i gëzon të gjitha të drejtat si anëtarët tjerë, përveç të drejtës për votë”, theksoi Antonio Jolevski.

Meqë Këshilli Gjyqësor aktualisht nuk ka zëdhënës, tentuam të marrim përgjigje nga zëvendës kryetari i këtij institucioni, Selim Ademi në lidhje me atë se pse proces verbali i 26 prillit, kur edhe u shkarkua Dameva nga detyra mbahet sekret dhe nuk i dorëzohet ministrit të Drejtësisë, përgjigje nuk morëm. Nuk dihet se edhe sa kohë do të zgjasë “kriza” në Këshillin Gjyqësor. Kjo situatë rrezikon të lë qindra gjykatës pa paga ndërsa ndikon edhe në uljen edhe më shumë të besimit të qytetarëve në gjyqësor, e cila edhe ashtu është e ulët, përkatësisht 4 për qind. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button