Korridoret, nuk është caktuar seancë kuvendore për marrëveshjen

Korridoret, nuk është caktuar seancë kuvendore për marrëveshjen

Gazetare: Fatlume Dervishi

Deputetët akoma nuk kanë rënë dakord për një seancë të mbyllur për shqyrtimin e Marrëveshjes së shtetit me Behtel Enkën për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D. LSDM-ja pret që VMRO-DPMNE-ja të zgjedhë komisionin ku dëshiron që kjo marrëveshje të shqyrtohet vetëm nga deputetët me certifikatë sigurie. Por VMRO-DPMNE-ja tani kërkon që marrëveshjen ta kenë të gjithë deputetët dhe të organizohet debat publik.

“Nuk e kam të qartë se pse zvarritet. Sqarimi i vetëm i logjikshëm është se në fakt edhe nuk e kanë aq të rëndësishme sepse marrëveshjen tashmë e kanë dhe e dinë. Prandaj nuk e kanë të rëndësishme një seancë në të cilën do të mund ta shohin marrëveshjen sipas procedurave por e kanë të rëndësishme të shpërndajnë gënjeshtra dhe manipulime, shtrembërojnë gjëra dhe nxjerrin pjesë të marrëveshjes, vetëm e vetëm që marrëveshja të mos realizohet”, tha Snezhana Kalevski Vançeva, deputete e LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja e cila e ka siguruar marrëveshjen nga kallëzuesit e saj, vazhdon të publikojë detaje të tjera që i konsideron kontestuese. Ata thonë se qeveria ka pranuar që në rast të kontestit, arbitrazhi do të ndiqet sipas ligjeve Anglisë dhe Uellsit.

“Është më se e qartë pse qeveria ua fsheh qytetarëve këtë kontratë të dëmshme, ku mbi bazën e penaliteteve tashmë janë paguar rreth 120 milionë euro, pa u vendosur asnjë gur, ku është planifikuar një javë pune 60 orëshe, ku shkelen ligjet për urbanistikën, ku do të ketë ndërtim pa leje, ndërtime në zona arkeologjike etj. Dikush do të mbajë përgjegjësi për këtë kontratë të dëmshme, duhet të ketë përgjegjësi!”, njoftojnë nga VMRO-DPMNE.

Njëri nga ligjet me kontestuese është ai për marrëdhënie pune. Prasi Presidenti Pendarovski një ditë më parë njoftoi se nuk do të dekretojë ndryshimet ligjore që zgjasin orarin e punës nga 40 në 60 orë për punëtorët e ndërtimtarisë në projekte strategjike, nga LSDM-ja thonë se bëhet fjalë për manipulim.

“Vetëm dua të theksoj se me vetëdije manipulohet me 60 orë pune në javë. As qeveria dhe as deputetët e shumicës dhe asnjë deputet në Kuvend nuk i lejon vetes të propozojë ose të mbështesë zgjidhje ligjore e cila i rrezikon të drejtat e punëtorëve që bazohen në Kushtetutë dhe në ligjin për marrëdhënie pune”, tha Snezhana Kalevski Vançeva, deputete e LSDM-së.

Tetë ligje të propozuara më shumë se tre javë më parë nga deputetët e shumicës, kryesisht të BDI-së, kanë ngecur në procedura parlamentare për shkak të bllokimit nga VMRO-DPMNE. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button