Këshilli nuk arriti t’i emërojë anëtarët e ri të Prokurorisë, kjo është arsyeja
Gazetar: Igor Stefanovski
Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar mbetet e reduktuar për pesë prokurorë. Këshilli i prokurorëve publik sot nuk kishte kuorum për emërimin e anëtarëve, shkruan Alsat.
Nuk erdhi prokurori republikan Lubomir Joveski i cili ka të drejtë vote ndërsa nuk u paraqitën as anëtarët e Këshillit, Ixhet Memeti dhe Lupço Ivanovski. Të enjten e ardhshme do të bëhet përpjekje e re për emërimin e pesë prokurorëve. Në ndërkohë, pritet të ketë konkurs për tre anëtarë tjerë.
“Duhet të shpallim konkurs këtë muaj apo kah fillimi i muajit të ardhshëm edhe për tre anëtarë të tjerë të cilëve u mbaron mandati ndërsa nuk kemi përfunduar ende me të mëparshmit. Prandaj, dua sa më shpejtë ta përfundoj emërimin e këtyre pesë prokurorëve, që mos të kemi zvarritje, që mos të kenë probleme në Prokurori”, deklaroi Antonio Jolevski- kryetar i Këshillit të PP.
Në ndërkohë, gjithsej tre Prokurori në vend kanë mbetur pa prokurorë. Përveç Kriva Pallankës ku shtatë vite nuk ka prokuror, situata e njëjtë është me Sveti Nikollën dhe Dellçevën. Këto rajone i mbulojnë prokurori të tjera. Përndryshe, këtë verë do të dalin në pension mbi 10 prokurorë.
“Për momentin kemi mungesë prej 70 prokurorëve sipas sistemimit. Flasim për punë të rregullt dhe normale”, tha Antonio Jolevski- kryetar i Këshillit të PP.
Me probleme ballafaqohet edhe Prokuroria e Tetovës. Në vend të dhjetë anëtarëve, për momentin janë vetëm dy. Para pak kohësh në këtë qytet ishin tre prokurorë, por pas hapjes së procedurës disiplinuese për vërtetimin e përgjegjësisë për prokuroren Lejla Kadriu, ajo tashmë nuk paraqitet në punë./Alsat.mk








